Presidentja Vjosa Osmani po qëndron në Turqi, ku po merr pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë “Bashkëpunimi rajonal dhe global, mundëson paqen dhe stabilitetin”.
Duke folur në panelin e liderëve për temën “Rrugët rajonale dhe globale drejt paqes dhe prosperitetit”, Osmani ka theksuar se paqja dhe prosperiteti janë të lidhura ngushtë dhe parakushte për një shoqëri progresive e të zhvilluar.
“Një mjedis paqësor dhe i begatë është çelës për çdo shoqëri, sepse ndikon në të gjitha aspektet e zhvillimit shoqëror të një vendi”, ka theksuar Presidentja Osmani. Por, sipas saj, qëllimet e tilla asnjë vend nuk mund t`i arrijë i vetëm.
“Vendosja e bashkëpunimit rajonal dhe global do ta mundësojë paqen dhe stabilitetin, i cili favorizon zhvillimin ekonomik, prosperitetin dhe përparimin”, është shprehur Presidentja Osmani.
Osmani ka theksuaer se rajoni i Ballkanit Perëndimor duhet t`i bashkohet strukturave euroatlantike
“Përkundër përparimit të jashtëzakonshëm që ka bërë Kosova si shtet, por edhe kontinenti ynë, sot të gjithë i shohim qartë kërcënimet ndaj paqes dhe sigurisë, të cilat janë të vazhdueshme dhe aktive”, është shprehur Presidentja Osmani.
“Ashtu siç u mblodh bota demokratike për t’i dhënë fund vuajtjeve dhe gjenocidit në Kosovë në 1999, jam e sigurt që këtë do ta shohim edhe në rastin e Ukrainës dhe kudo tjetër në botë ku ka luftë dhe vuajtje”.