Fjalë Kyçe

Osmani e Kurti bashkë me Viola von Cramon diskutojnë për situatën politike

Osmani e Kurti bashkë me Viola von Cramon diskutojnë për situatën politike

Lideri i LVV-së, Albin Kurti, bashkë me u.d, e presidentit, Vjosa Osmani, kanë pasur një takim virtual me Raportuesen për Ballkanin Perëndimor në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, së bashku me ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, kanë mbajtur një takim virtual me Raportuesen për Ballkanin Perëndimor në Parlamentin Evropian, Znj. Viola von Cramon dhe deputetin e të gjelbërve ne Bundestagun Gjerman, Manuel Sarrazin.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Kurti ka bërë të ditur se takimi është zhvilluar mbrëmë, kurse temë kryesore ka qenë situata politike në Kosovë, vizioni reformator socio-ekonomik e ligjor të qeverisë pas zgjedhjeve.

Kurti po ashtu ka treguar se ka prezantuar edhe agjendën e tyre për nxjerrjen e shtetit nga kriza e shumëfishtë, si dhe integrimin evropian e rolin e diasporës.

Njoftimi i plotë i Kurtit, pa ndërhyrje:

Bashkë me Presidenten në detyrë, Znj. Vjosa Osmani, Raportuesen për Ballkanin Perëndimor në Parlamentin Evropian, Znj. Viola von Cramon dhe deputetin e të gjelbërve ne Bundestagun Gjerman, Z. Manuel Sarrazin, mbrëmë diskutuam për një orë e gjysmë në Zoom mbi situatën politike në Kosovë, vizionin reformator socio-ekonomik e ligjor të qeverisë sonë të ardhshme pas zgjedhjeve, agjendën tonë për nxjerrjen e shtetit nga kriza e shumëfishtë, si dhe integrimin evropian e rolin e diasporës. Aktivistët shqiptarë, Muhamet Idrizi në Hamburg, me prejardhje nga Mitrovica, dhe, Emiljo Jazxhi, në Berlin e me prejardhje nga Korça, organizuan dhe moderuan këtë debat. Me miq të këtillë shtohet shpresa e rriten mundësitë për vendin tonë.