Fjalë Kyçe

Osmani fal të dënuarën që lindi foshnjën gjatë vuajtjes së dënimit

Osmani fal të dënuarën që lindi foshnjën gjatë vuajtjes së dënimit

Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se për shkaqe humanitare ia ka falur një të dënuaren pjesën e mbetur të dënimit.

Në njoftimin e lëshuar nga Presidenca thuhet se të mërkurën është nënshkruar dekreti më të cilin të dënuarës A.C., i është falur pjesa e mbetur e dënimit për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme, ngase e dënuara ka lindur foshnjën e saj të parë gjatë vuajtjes së dënimit dhe ndodhet në Qendrën Korrektuese për gra në Lipjan, së bashku me foshnjën e saj.

“Në marrjen e vendimit për falje, janë marrë parasysh edhe faktorë të tjerë, duke përfshirë faktin se e dënuara nuk ka kryer asnjë vepër penale më herët, vepra penale për të cilën është dënuar është për ‘Rrezikim të Trafikut Publik’, pra është kryer aksident pa dashje, ndërkaq është vërtetuar se nuk ka qenë nën ndikim të alkoolit apo substancave të tjera kur ka ndodhur aksidenti. Përveç këtyre, gjithashtu janë marrë parasysh sfidat shëndetësore të nënës dhe foshnjës”, thuhet në komunikatë.

Sipas njoftimit, e dënuara ka filluar mbajtjen e dënimit prej 1 vit e dy muaj burg, në korrik të vitit 2024, ndërkaq do të duhej të lirohej në mënyrë të rregullt nga burgu më 14 shtator të këtij viti.

“Dosja me propozimin e shqyrtuar nga Komisioni si dhe nga ekipi ligjor i Presidentes, ka arritur sot në tavolinën e Presidentes. Prandaj, duke marrë parasysh faktorët humanitarë dhe vlerësimet profesionale të të gjitha institucioneve relevante, Presidentja ka vendosur faljen e pjesës së mbetur të dënimit të saj”, theksohet tutje në kumtesë.