Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti i bënë homazhe të mërkurën figurës së ish-sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, gruas së parë që drejtoi Departamentin amerikan të Shtetit, në shërbimin përkujtimor për ndera të saj që mbahet në Uashington.
Osmani përmes një postimi në Facebook, thotë se sot i dhanë lamtumirën e fundit mikes së madhe të Kosovës, gardianes së lirisë e demokracisë dhe zërit të fuqishëm të popullit tonë.
Osmani i është falënderues sekretares Albright për kontributin e jashtëzakonshëm për t’i dhënë fund gjenocidit serb në Kosovë.
Postimi i plotë:
Sot, në Washington D.C., i dhamë lamtumirën e fundit mikes së madhe të Kosovës, gardianes së lirisë e demokracisë dhe zërit të fuqishëm të popullit tonë, Madeleine Albright.
Jemi përgjithmonë falënderues për kontributin e jashtëzakonshëm të sekretares Albright për t’i dhënë fund gjenocidit serb në Kosovë, si dhe mbështetjes së saj të vazhdueshme për Kosovën e lirë, të pavarur, të zhvilluar e me vendin e merituar në arenën ndërkombëtare.
Sekretarja Albright e njohu dhimbjen e popullit tonë, e ne do ta vazhdojmë përpjekjen e saj, për ta avancuar dhe për ta mbrojtur demokracinë! Miqësinë me Amerikën e kemi të përjetshme, siç do ta kemi kujtimin për Sekretaren Albright!