Fjalë Kyçe

Osmani: Institucionet e shoqëria duhet të qëndrojnë afër grave të cilat ishin viktimë e dhunës seksuale në luftë

Osmani: Institucionet e shoqëria duhet të qëndrojnë afër grave të cilat ishin viktimë e dhunës seksuale në luftë

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka qëndruar në vizitë te organizata Medica Gjakova.

Osmani ka thënë se të mbijetuarat e dhunës seksuale në luftë janë viktima të dyfishta, dhe se institucionet e shoqëria duhet të qëndrojnë afër grave të cilat ishin viktimë e dhunës seksuale në luftë.

Më tej shton se si pasojë e kësaj, një pjesë e madhe zgjedhin t’i vuajnë pasojat emocionale e traumatike në heshtje e izolim të plotë.

“Këto gra nuk janë vetëm! Në njërën anë, ato kanë mbështetjen e organizatave si Medica Gjakova, të cilën e vizituam këto ditë, e organizatave të tjera simotra që nuk reshtin së rezistuari çfarëdo presioni, e në anën tjetër, na kanë ne të cilët ju përkulemi përpara qëndresës së pashoq përballë dhimbjes e vuajtjes që ato përjetojnë.

Por ne mbështetësit e tyre jemi ende të paktë në numër. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me mbështetje, por ka të bëjë me kuptimin e vërtetë të vuajtjes e pasojave shkatërruese shumëdimensionale të luftërave.

Të jemi aty për të mbijetuarit, do të thotë të jesh aty për t’u ballafaquar plotësisht me të kaluarën, për të udhëhequr shoqërinë tonë drejt një rehabilitimi të shëndoshë, solidar, e me me mirëkuptim të plotë për vuajtjet e brengat e secilës e secilit. Mbi të gjitha, të jesh me to, do të thotë të kërkosh çdo ditë e me ngulm drejtësi”, ka shkruar Osmani në rrjetin social.