Teksa ka thënë se marrëveshja me Vetëvendosjen ka qenë jo lehtë e arritshme, nënkryetarja e LDK-së Vjosa Osmani ka thënë se është befasuar që dy partitë patën probleme në ndarjen e posteve.
Ajo ka thënë se në tavolinën e diskutimeve mes dy partive nuk ka pasur gjuhë jo të mirë, e as tensione.
“Jam befasuar edhe unë që ka pasur probleme për pozita. Ka pasur edhe të tjerë që janë befasuar se brenda këtyre tavolinave do të ketë probleme. Por kur dalin fjalët jashtë, keqkuptimet janë të mëdha. Kam parë gjuhë jo të mirë që ka lënduar raportet. Raportet në tavolinën tonë kurrë nuk ishin aq të rënda sa i shihnit në debatet televizive. Ka pasur raste, por në shumicë mund të them se ka ekzistuar respekti i ndërsjellë. S’ka ekzistuar kurrë debati se si të ndahen pasuri të paligjshme, s’është diskutuar si të amnistohet krimi. Pavarësisht dallimeve, ato kanë qenë profesionale, normale, politike, por jo përmes fyerjeve”, ka thënë ajo.
Osmani ka thënë se qëndrimi i saj ka qenë që posti i presidentit të mos jetë pjesë e pazareve politike.