Fjalë Kyçe

Osmani, Kurti dhe Konjufca shkojnë për ngushëllime tek familjet e viktimave nga aksidenti në Kroaci

Osmani, Kurti dhe Konjufca shkojnë për ngushëllime tek familjet e viktimave nga aksidenti në Kroaci

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryekuvendari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti, kanë vizituar për ngushëllime familjet e personave që kanë humbur jetën në aksidentin në Slavonski Brod të Kroacisë.

Në njoftimin e Zyrë së Presidentes thuhet se të tre krerët shtetëror u kanë shprehur ngushëllime familjarëve, duke i siguruar ata se do të kenë mbështetje institucionale.

Ata kanë përmendur edhe ndihmën e pakursyeshme të shtetit kroat për t`u dalë në ndihmë të aksidentuarve, duke falënderuar strukturat shtetërore për angazhimin.

Osmani ka theksuar se një fatkeqësi si kjo është dhimbje për gjithë qytetarët e Kosovës, ndërkohë që ka uruar shërim të shpejtë për të gjithë të lënduarit.

Ndërsa Konjufca theksoi se dhimbja për mërgimtarët që humbën jetën është e madhe, ngase erdhën për vizitë në familjet e tyre për ta gjetur gëzimin, por e gjetën vdekjen.

Kurti tha se kjo tragjedi nuk është vetëm e familjeve, por e të gjithë kombit. Sipas tij, dhimbja duhet të kthehet në forcë për ta përballuar më lehtë këtë humbje të madhe.

Në ditën e parë të vizitave, të tre liderët institucionalë kanë vizituar familjet e Ahmet Hoxhës, Anjeza Bellanicës, Kujtim Kastratit, Leonora Kolemekshajt, Naser Sylemetajt, Erlinda Binakajt, Valentina Zhubi-Binakajt dhe Gjylë Malokut, të cilët nuk i mbijetuan aksidentit të rëndë në Slavonski Brod të Kroacisë.

Vizitat ngushëlluese do të vazhdojnë të premten edhe në familjet e tjera, transmeton Klankosova.tv.