Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur një fjalim para mijëra pjesëmarrësve në Lutjet e Mëngjesit, një ngjarje e organizuar nga Kongresi amerikan në Washington, duke theksuar rolin e besimit në udhëtimin e Kosovës drejt lirisë.
“Jam këtu në emër të një kombi mirënjohës, Republikës së Kosovës. Kam nderin të përfaqësoj një popull, udhëtimi i të cilit drejt lirisë dhe paqes është udhëhequr gjithmonë nga besimi”, deklaroi Osmani.
Ajo theksoi se fëmijëria e saj nuk ishte e zakonshme për një politikan, pasi ajo u rrit si një fëmijë lufte në një vend të shkatërruar nga një regjim i verbuar nga urrejtja.
“Netët e fëmijërisë sime nuk ishin të mbushura me përralla para gjumit, por me jehonën e vazhdueshme të luftës”.
Osmani kujtoi fjalët e prindërve të saj në momentet më të vështira: “Kemi besim. Kemi besim. Sepse Zoti është streha dhe forca jonë”.
Ajo tha se edhe kur u bënë viktima të një regjimi gjenocidal, besimi nuk i braktisi kurrë.
Presidentja e Kosovës vlerësoi rolin e Shteteve të Bashkuara në shpëtimin e popullit të saj: “Ne iu lutëm Zotit për një mrekulli. Ne iu lutëm Zotit të na shpëtonte. Dhe Zoti na dërgoi Amerikën.”
Osmani falënderoi burrat dhe gratë e uniformës së SHBA-së, të cilët, së bashku me çlirimtarët dhe aleatët ndërkombëtarë, shpëtuan jetën e popullit të Kosovës.