Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka thënë se shteti i tij është në një pozicion më të mirë për t’i dhënë përgjigje tejkalimit të çështjes ndërmjet shteteve fqinje, Kosovës dhe Serbisë.
Ai thotë se marrëveshja e arritur ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë shpreson t’i inkurajojë edhe Kosovën e Serbinë.
“Tash jemi në pozitë më të mirë për të dhënë një përgjigje rreth tejkalimit të çështjes mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë pasi që Maqedonia ka nisur procesin e anëtarësimit të plotfuqishëm në NATO. Zgjidhja e problemit disa dekadash mes Maqedonisë dhe Greqisë besoj të inkurajojë Kosovën dhe Serbinë që të bëjnë të njëjtën pasi që këto dy shtete vetëm në këtë mënyrë mund të hapin rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, ka thënë ai.
Ai insiston se në çështjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka “status quo”.
“Në çështjen mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka ‘status quo’, gjërat ose ecin para ose mbrapa, dhe po e vërejmë se kjo çështje tashmë është bërë dinamike dhe assesi nuk ka një ‘status quo’ mes Kosovës dhe Serbisë. Unë mendoj se prej një rëndësie të veçantë edhe për Kosovën edhe për Serbinë është qëndrimi i unifikuar i komunitetit ndërkombëtar, kur them këtë kam fjalën për Uashingtonin dhe Brukselin dhe jo për Rusinë dhe Kinën. Me rëndësi të veçantë është që edhe Uashingtoni por edhe Brukseli të përçojnë porosi përmes të cilave do të mund që Kosova dhe Serbia të gjejnë një zgjidhje të mundshme mes vete”, shprehet Osmani.
Osmani thekson se Kosova dhe Serbia në asnjë moment nuk guxojnë që qysh në fillim të negociatave të vendosin linja të kuqe.
“Atyre nuk u nevojitet caktim i pozicioneve publike të cilat më pas mund t’u shndërrohen në pengesë, palët duhet të lënë të gjitha opsionet e hapura dhe të rishikojnë të gjitha mundësitë”, thotë Osmani.
Sipas Osmanit palët duhet të marrin qëndrimin si të Maqedonisë gjatë bisedimeve, e të shqyrtojnë të gjitha mundësitë.
“Çështja mes Kosovës dhe Serbisë është multi-dimensionale, të shihet a ka ndjeshmëri të ndryshëm në pika të ndryshme të pakos. Aty nuk bëhet fjalë vetëm për çështje kufiri apo çështje e pranimit të ndërsjellë, aty ka disa çështje që duhet të tejkalohen dhe mendoj se nëse palët në fjalë marrin qëndrimin që ne kishim gjatë bisedimeve me Greqinë, të shqyrtojnë të gjitha mundësitë, ndoshta vetëm atëherë mund të gjendet një zgjidhje e mundshme”, u shpreh ai.
Ai më tutje ka shtuar se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të zgjasin deri në pafundësi, pasi ka shtete të interesuara që përmes kësaj çështjeje të hapur të krijojnë probleme në rajon.
“Përmes një qasjeje të hapur mes palëve dhe një qëndrimi të unifikuar të komunitetit ndërkombëtar do të duhej të shihnim një zgjidhje të qëndrueshme përmes së cilës do të konfirmohej plotësisht edhe shtetësia e Republikës së Kosovës, anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara dhe hapjen e rrugës euroatlantike për Kosovën dhe Serbinë, kjo e fundit duhet të vendos nëse dëshiron të anëtarësohet në NATO, por Kosovës duhet t’i hapet rruga drejt NATO-s dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, u shpreh Osmani.