Kosova gjindet para një udhëkryqi politik. Një nga opsionet më të mundshme është shkuarja e vendit në zgjedhje. Si opsion është përmendur edhe formimi i një partie të re politike nga Vjosa Osmani.
Ka qenë vet Osmani ajo që ka paralajmëruar formimin e partisë së saj, pas ndarjes me LDK-në. Osmani nuk ka dhënë data apo kohë se kur do të ndodhë formimi i partisë.
“Ekipi im do të përbëhet nga emra me intergitet të cilët shpesh nuk i shohim në televizione. Partia ime nuk do të ketë synime të shumta por e para është sfida e ç’kapjes së shtetit, problemet e papunësisë e arsimit” kishte qenë paralajmërimi i Osmanit.
Por, në këtë situatë aktuale, kryetarja e kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së presidentes nuk ka të drejt ligjore të formojë parti të re.
Këtë e ka konfirmuar për Indeksonline njohësi i Kushtetutës së Kosovës, Riza Smaka.
“Jo, nuk ka të drejt të formojë parti të re. Këtë nuk mund ta bëj sa të ushtrojë detyrën si ushtruese detyre e presidentit të vendit. Për të formuar parti të re ajo duhet të japë dorëheqje nga posti i presidentes” ka thënë Smaka.
Mbetet të shihet nëse Osmani gjatë javëve në vijim do të zgjedhë opsionin e dorëheqjes si ushtruese e detyrës së presidentes për të zgjedhur opsionin tjetër, formimin e një partie të re politike në vend.