Fjalë Kyçe

Osmani për bisedimet Kosovë-Serbi: Si mund të ketë paqe me njerëz që s’kërkojnë falje për krimet

Osmani për bisedimet Kosovë-Serbi: Si mund të ketë paqe me njerëz që s’kërkojnë falje për krimet

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme mes popullit të Kosovës dhe Serbisë, pa kërkuar falje kjo e fundit për viktimat e luftës.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se përveç njohjes, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti duhet t’ia kërkojë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lulen e munguar në varrezën masive me shqiptarë në Batajnicë.

“Pas dy ditësh, kryeministri i Kosovës do të takohet në Washington me Presidentin Vuçiq për të negociuar për arritjen e një të ashtuquajtur marrëveshjeje ndërmjet Kosovës e Serbisë. Pas këtij takimi do të ketë edhe negociata të tjera në Bruksel. Marrëveshja, po thuhet nga disa, do të sjellë paqe të qëndrueshme në mes popujve tanë. E, si mund të ketë paqe me njerëz të cilët s’mund t’i thërrasin ndërgjegjes dhe të kërkojnë falje për viktimat që i kanë shkaktuar?! Ndërgjegjja s’mund të ‘pastrohet’ e as ‘sanitizohet’. Ndërgjegjja kërkon pendim, kërkim falje, dhe shpagim”, ka thënë ajo.

Duke cituar disa shënime nga, siç thotë ajo, ditari i Obread Stevanoviq, ish-ministër i Policisë serbe nga një takim i nivelit të lartë shtetërorë serb, të organizuar nga presidenti Sllobodan Millosheviq në maj të vitit 1999, ky i fundit citohet të ketë thënë “S’ka trupa, s’ka krime”.

Kjo, sipas Osmanit, pasi ai kishte urdhëruar dy muaj më herët për “marrjen e masave për eliminimin trupave të varrosur të civilëve shqiptarë”.

“Nga viti 2001, 941 shqiptarë, shumica prej të cilëve civilë, u zhvarrosën nga katër varreza masive në Serbi. Prej tyre, 744 u gjetën në Batajnicë, në periferi të Beogradit, 61 në Petrovo Selo, në Serbinë Lindore, 84 në Liqenin Peruçac, në Serbinë Perëndimore, dhe 52 në Rudnicë, afër Rashkës, në Serbinë Jugore, afër kufirit me Kosovën. Një numër i madh i trupave kishin qenë të djegur rëndë para se të fshiheshin në varrezat masive”, shkruan ajo.

Ajo thotë se më 26 Mars 1999, forcat serbe vranë 49 anëtarë të familjes Berisha në Suharekë, shumica e të cilëve ishin gra dhe fëmijë. Mbetjet mortore të 24 prej tyre u zhvarrosën në Batajnicë, 5 u zhvarrosën në Suharekë, ndërsa 20 tjerë ende figurojnë në listën e të pagjeturve.

Sipas saj, dhjetëra familje të tjera – përfshirë fëmijë, gra, dhe të moshuar – e patën fatin e njëjtë si të Familjes Berisha nga Suhareka.

Osmani shkruan se shumë viktima të tjera – kryesisht nga Gjakova, Peja, Fushë Kosova, Prizreni, Vushtrria e Lipjani – në total 744, janë gjetur në Batajnicë.

“Siç tregon Natasha Kandiq, aktiviste për të drejtat e njeriut dhe themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare, në mesin e mbetjeve gjendeshin rroba e lodra fëmijësh. Në rrobat e një viktime në Batajnicë u gjend një çek pensioni për muajin tetor të vitit 1998; tek një viktimë tjetër aty u gjend një set për make-up; tek një tjetër një kuti me ushqim bebesh. Tek një tjetër u gjendën shënime nga raporti mjekësor i Institutit të Onkologjisë: “Fahrija Mamaj udhëzohet për mamografi”, ka thënë ajo.

Këto të gjetura personale, Osmani thotë se përbëjnë aktakuzën më mallkuese ndaj regjimit gjenocidal të shtetit serb, i cili kreu krime monstruoze duke masakruar civilë të pafajshëm.

“Prej atëherë, në këto varre masive nuk ka asnjë shenjë, më të cilën kujtohen viktimat shqiptare të varrosura këtu”, ka thënë ajo.

Presidenti Vuçiq, ish – ministër i Millosheviqit, i cili ka gjasë të ketë qenë prezent në takimet kur shefi i tij jepte urdhra për zhvarrosje të civilëve shqiptarë me ekskavatorë – sot e asaj dite nuk e ka parë të rrugës të vendosë lule dhe të përkulet aty apo të kërkojë falje për viktimat!

Politikanë, ushtarakë e policë serb në atë kohë i përdornin shumë sintagmat: “pastrim i terrenit” dhe “sanitizim”, të cilat kishin të bënin me zhvarrosjen e viktimave shqiptare dhe transportimin e tyre drejt varrezave masive në Serbi.