Fjalë Kyçe

Osmani për radion britanike: Përgjigja ndaj Rusisë duhet të jetë e unifikuar, NATO-ja të ketë rol aktiv

Osmani për radion britanike: Përgjigja ndaj Rusisë duhet të jetë e unifikuar, NATO-ja të ketë rol aktiv

Presidentja Vjosa Osmani ka folur për situatën në Ukrainë, në një radio britanike. Presidentja tha se Kosova si vend është thellësisht të shqetësuar për situatën në Ukrainë, njëjtë si pjesa tjetër e vendeve demokratike në botë.

“Shpreh mbështetjen dhe solidaritetin tonë me popullin e Ukrainës si dhe mbështetjen e plotë për sovranitetin dhe integritetin territorial të këtij vendi. Ne besojmë fuqishëm se ajo që po ndodh është një abuzim flagrant i pushtetit dhe një shkelje e të drejtës dhe praktikave ndërkombëtare nga Rusia”, tha Osmani për TIMES Radio.

Tutje Osmani tha se lejimi që Rusia të pushtojë Ukrainën, do të krijonte efekt në gjithë botën që autokratët do të vendosnin për shtetet sovrane.

“Nëse lejojmë një fqinj që thjesht ka një ushtri më të madhe dhe më të fortë që ndërtohet rreth kufirit tuaj të vendosë për të ardhmen tuaj, sepse është agresiv, sepse është autokratik, dhe nëse lejojmë të dominojë politika e të lëshuarit pe ndaj këtyre lloj politikave dhe agresioneve, atëherë ne po krijojmë efekte përhapëse për pjesën tjetër të botës, ku autokratët, përmes përdorimit të forcës, qoftë fizike apo digjitale, mund të vendosin për të ardhmen e popujve tjerë sovran, gjë që nuk duhet të jetë kështu”, u shpreh presidentja.

Osmani po ashtu u pajtua me kryeministrin e Britanisë, Boris Johnoson, se Rusia po përpiqet në mënyrë aktive të destabilizojë rajonet e tjera në botë, sikurse Ballkanin Perëndimor, siç tha ajo, “përmes Serbisë si satelite të saj”.

“Ne jemi të shqetësuar për bashkërendimin e tyre të mundshëm si rezultat i ngjarjeve në Ukrainë. Ne po shohim sfida për stabilitetin në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Mal të Zi dhe në Kosovë nga qasja agresive dhe përpjekjet destabilizuese të Serbisë të ndihmuara edhe nga Rusia”.

E para e shtetit tha se përgjigja ndaj Rusisë duhet të jetë e unifikuar dhe se NATO-ja duhet të ketë një rol shumë aktiv, njofton Klankosova.

“Rusia dhe Serbia janë duke u munduar të shkatërrojnë çdo vlerë të Perëndimit, të ndërtuara në këtë rajon me shumë investime, sakrifica dhe punë”

“Synimi ynë është ti bashkohemi NATO-s, dhe po bëjmë përpjekje për këtë, si vendi me popullin më pro NATO në botë”.