Pozitë e opozitë në Kosovë janë njëzëri kundër deklaratave të sotme të selisë së Bashkimit Europian se Trepça duhet të jetë pjesë e marrëveshjes Kosovë – Serbi në kuadër të dialogut.
Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani tha sot se deklaratat e BE-së që ndërrmarja publike “Trepça” të jetë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi, tregojnë një anshmëri për Serbinë.
“Është një qasje e papranueshme dhe bllokuese ndaj dialogut që tregon një anshmërinë e zyrës së Mogherinit në dialog. Çështja e pronësisë mbi Trepçën dhe çdo prone tjetër tashmë është zgjidhur me planin e Ahtisaarit dhe me Kushtetutën e Kosovës”, tha Osmani për KALLXO.com
Sipas saj, problemi kryesor nuk është BE-ja por presidenti, Hashim Thaçi.
“Por, problemin kryesor nuk e kemi në BE por për brenda Kosovës. Është presidenti i vendit që është deklaruar se është i hapur për të bërë kompromiset e nevojshme për të gjitha çështjet e hapura. Siç dihet, për Serbinë, të hapura janë edhe tema e statusit edhe pronat e Kosovës”, tha Osmani për KALLXO.com
Ndryshe, në lidhje me këtë deklaratë pati reagime të shumta në vend nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kryeparlamentari Kadri Veseli dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka duke e kundërshtuar fuqishëm këtë.