Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se pesë policë të Kosovës “po mbahen peng” nga Serbia, shtet të cilin e cilësoi si “shovinist”.
Në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të Policisë së Kosovës, Osmani i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar që të reagojë për këtë çështje.
“I bëjmë thirrje të gjithë aleatëve tanë që ta ngrenë zërin dhe t’i rrisin përpjekjet që të ndalin mizoritë dhe veprimet e tilla shoviniste kundër qytetarëve tanë dhe kundër policisë sonë. Por, jam e bindur që betimi i sotëm, dhe të gjithë këta kadetë dhe ky grup multietnik është përgjigja më e fuqishme kundër përpjekjeve të tilla”, tha Osmani.
“Përderisa vazhdimisht përballemi me sfida të sigurisë, mos të harrojmë edhe në këto momente pesë policë të Republikës sonë po mbahen peng nga një shtet shovinist, nga Serbia”, shtoi ajo.
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës (MPB) tha të mërkurën vonë se një zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës dhe katër zyrtarë të tjerë policorë janë duke u mbajtur nga autoritetet serbe.
Ministria tha se zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës i nacionalitetit serb, Dejan Jankoviq, është duke u mbajtur “në ndalim nga mëngjesi i sotëm pa asnjë sqarim”, tha MPB-ja.
Jankoviq – i cili vjen nga komuna e Shtërpcës – u ndalua në pikën kufitare me Serbinë, Jarinjë, në veri të Kosovës, dhe u dërgua për intervistim në qytetin jugperëndimor të Serbisë, Rashkë.
Osmani tha se “kërcënimet dhe rreziqet janë përditshmëri e jona ndaj është domosdoshmëri që Republika e Kosovës me institucionet e saj të jetë anëtare fuqiplotë e INTERPOL-it dhe e EUROPOL-it”. /REL