Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në takim me emirin e Katarit, Sheikh Tamim Bin Hamad Al Thani, ka biseduar edhe për çështjen e trajtimit të invalidëve të luftës nga radhët e UÇK-së, që kanë nevojë për shërbime protoetike.
Osmani po qëndron për vizitë në Katar. Me emirin e Katarit ka biseduar po ashtu edhe për thellimin e raporteve dhe bashkëpunimin në fusha të ndryshme mes dy vendeve.
“Në takim u diskutua për thellimin e mëtejshëm të raporteve dhe bashkëpunimin në fusha të ndryshme siç janë: shëndetësia, turizmi malor, infrastruktura, si dhe projekte të tjera me rëndësi për Kosovën. Në veçanti u diskutuan një sërë projektesh investive në sektorë strategjik për të cilat do të vazhdojnë diskutimet përmes ekipeve përkatëse në ditët në vijim. Presidentja Osmani gjatë takimit ka shtruar edhe çështjen e trajtimit të invalidëve të luftës nga radhët e UÇK-së, të cilët kanë nevojë për shërbime protetike. Gjatë takimit u diskutua edhe për rritjen e mbështetjes në fuqizimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Presidentja ka falënderuar Emirin e Katarit për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe popullit të saj”, ka njoftuar Presidenca.