Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se ka një kohë të gjatë qe nuk ka kurrfarë komunikimi me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Osmani që është shkarkuar nga pozitat drejtuese në LDK, ka shtuar se ngrirja e raporteve ka qenë zgjedhje e Mustafës.
Ndërsa, Osmani ka përsëritur se komunikon vazhdimisht me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti.
“Me që jam këtu në cilësinë e kryetares së Kuvendit nuk kisha dashur që të ndalem te këto çështje. Pyetja e gazetarëve dje ishte lidhur me atë se çka nëse shpallen zgjedhjet e parakohshme dhe përgjigja ime ishte që nuk mund të jem më e qartë sesa ta përmendi 20 qershorin. Pra, e vërteta është kjo që LDK-ja më ka përjashtuar. Edhe dje pyetja ka qenë a keni kontakte me Z. Kurti dhe përgjigja ime ka qenë që natyrisht që kemi kontakte”, ka thënë ajo pas takimit që sot ka pasur në Deçan me kryetarin e kësaj komune, Bashkim Ramosaj.
Ndërsa e pyetur se a ka kontakte me Isa Mustafën, Osmani ka thënë shkurt se “Jo, ka një kohë të gjatë dhe kjo ka qenë zgjedhje e tij”.