Presidentja Vjosa Osmani, sot priti në takim një ekip të Misionit të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë, të udhëhequr nga eurodeputeti, Lukas Mandl.
Në takim, siç informoi Presidenca, u diskutua për mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale, të cilat u vlerësuan si zgjedhjet më demokratike të organizuara ndonjëherë dhe u potencua besimi i lartë në integritetin e këtij procesi.
“Presidentja Osmani theksoi se është krenare me nivelin e demokracisë që ka arritur Kosova duke u shndërruar kështu në model për rajonin e më gjerë”, u bë e ditur në komunikatë.
Ky mision ishte në Kosovë me ftesë të Presidentes Osmani me qëllim të monitorimit të mbarëvajtjes së zgjedhjeve lokale, të cilat u mbajtën në Kosovë më 17 tetor 2021.
Vëzhguesit evropianë sot u takuan edhe me Kryeministrin Kurti, me ç’rast u bë e ditur se zgjedhjet e vitit 2021 ishin të organizuara mirë.
Siç informoi Zyra e Kryeministrit, Mandel tha se raporti është pozitiv për Kosovën dhe se përbën raportin më pozitiv të misioneve të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve.
“Të gjeturat e raportit tregojnë se zgjedhjet komunale të vitit 2021 ishin të organizuara mirë, liritë themelore u respektuan gjatë fushatës dhe një numër i madh garuesish u ofruan votuesve një zgjedhje reale. Raporti po ashtu vlerëson se KQZ-ja i bëri përgatitjet për zgjedhje në mënyrë profesionale duke respektuar të gjitha afatet ligjore dhe gëzoi një nivel të lartë besimi nga të gjitha palët e interesuara dhe se pati një fushatë të decentralizuar dhe konkurruese.”, u bë e ditur në komunikatë.
Raporti thekson edhe një numër mangësish, siç u theksua në komunikatë, të cilat duhet të adresohen në reformën zgjedhore sikurse ato mbi financimin e partive politike, kualifikimin e kandidatëve dhe rregullat e fushatës, votimin e qytetarëve jashtë vendit, saktësinë e listave të votuesve dhe mangësi të tjera në mënyrë që aspekti rregullativ të jetë sa më i qartë e sa më demokratik.
Kryeministri shprehu falënderimin për misionin vëzhgues dhe theksoi nevojën për një raportim sa më të drejtë dhe përkushtimin për të shtyrë përpara procesin e reformave zgjedhore.