Veteranët e UÇK-së e cilësojnë të papranueshëm vendimin e Gjykatës Speciale për të pranuar dokumente nga aparati shtetëror i Serbisë. Ky rast, sipas tyre, përbën arsye shtesë për protestë më 7 gusht.
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara për të pranuar “prova” nga institucionet e Serbisë, duke përfshirë dokumente nga Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe e ashtuquajtura Komandë për “Kosovën dhe M.”.
“Edhe një arsye më shumë për të protestuar! Ky veprim i papranueshëm i gjykatës i jep besueshmëri një aparati që kreu krime të dokumentuara në Kosovë. Kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së nuk heshtin kur historia provon të rishkruhet nga dokumentet e dhunuesit!”, thuhet në reagimin e OVL UÇK-së.
OVL UÇK synon të organizojë “protestë gjithëpopullore” në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë të Holandës. Kjo protestë është thirrur me datë 7 gusht, duke filluar nga ora 17:00 pasdite.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët kosovarë – Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli – dhe ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara.
Ndryshe, protesta e fundit në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së ishte zhvilluar nën organizimin e platformës “Liria ka emër” në prill 2023 në Prishtinë, në të cilën kishin marrë pjesë mijëra qytetarë që dolën në përkrahje të ish-udhëheqësve të UÇK-së.