Fjalë Kyçe

Pacientët duhet t’i blejnë të gjitha në Spitalin e Ferizajt

Pacientët duhet t’i blejnë të gjitha në Spitalin e Ferizajt

Në korridoret e katër reparteve të Spitalit të Ferizajt mund të dëgjoheshin vetëm frymëmarrjet e vështirësuara të pacientëve. Kjo pasi që oksigjeni ka qenë terapia kryesore për shumicën e pacientëve të infektuar me COVID-19, që po trajtoheshin aty.

Shumë prej tyre tashmë kanë hyrë në javën e tretë të trajtimit dhe nuk po arrijnë që të marrin frymë pa ndihmën e pajisjeve për oksigjen, raporton KOHA.

E në mesin e atyre që po trajtohen me oksigjenoterapi është një pacient i cili nuk kishte besuar në ekzistencën e virusit. Përveç oksigjenit, pacientët thonë se të gjitha barnat e deri te shiringat duhet t’i sigurojnë vetë.

Reshjet e mëdha të shiut të enjten kanë bërë që njëra prej dhomave në këtë spital, ku po trajtoheshin dy pacientë me osksigjenoterapi, të përfshihej nga uji.

Mjekët në këtë spital thonë se 41 pacientë momentalisht janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi. Ata tashmë janë të shqetësuar me një dukuri tjetër: me numrin e të rinjve të cilët dita-ditës po vijnë në gjendje më të rënduar shëndetësore të infektuar nga ky virus.

Spitali i Ferizajt, i cili pas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë është shndërruar në spital për trajtimin e pacientëve me COVID-19, këtë të enjte kishte të shtruar 62 pacientë, 32 prej tyre të konfirmuar me COVID-19.