Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka folur sërish për njohjen e paralajmëruar ditë më parë nga një shtet afrikan.
Ndërsa i është përgjigjur një komentuesi në pyetjen e tij se si ka mbetur kjo çështje, Pacolli është shprehur se detyra e tij ka qenë ta sillte delegacionin në Kosovë, ndërsa pjesa tjetër tashmë iu takon presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, njofton Klankosova.tv.
”Të lutem t’ia bëni pyetjen kryeministrit dhe presidentes. Detyra ime ka qenë për ta sjellë delegacionin (ai ishte në Kosovë, po në atë kohë unë i kam paralajmëruar), dhe tani ka mbetur që një nga dy figurat (duke iu referuar Osmanit dhe Kurtit), të udhëtojnë për vizitë zyrtare në atë shtet për të bërë të bërë nënshkrimin e marrëdhënieve diplomatike (me presidentin e atij shteti), ashtu siç ishte paraparë”, thuhet në replikën e Pacollit, njofton Klankosova.tv.
Javë më parë, Pacolli tha se ka bindur një shtet në njohjen e Republikës së Kosovës, dhe se një delegacion kishte ardhur në vend për t’u takuar me krerët e shtetit kosovar, gjë që nuk u pohua e as mohua nga këta të fundit.