Fjalë Kyçe

Pacolli: Rastet u shumëfishuan për shkak të hapjes totale

Pacolli: Rastet u shumëfishuan për shkak të hapjes totale

Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar qasjen e Qeverisë së Kosovës ndaj pandemisë COVID-19. Përmes një konference për shtyp, Vetëvendosje ka shprehur qëndrimin se Kosova është para një kolapsi shëndetësor dhe shoqëror “që ka ardhur si pasojë e hapjes totale, në shpërputhje të plotë me hapjen graduale që kishte filluar Qeveria Kurti”.

Deputetja Fitore Pacolli, që ka folur në konferencë, e ka cilësuar Qeverinë Hoti si qeveri ilegale.

“Kjo hapje totale pa krijimin e kushteve dhe adaptimin me normalitetin e ri që kemi sot, ndikoi në shtimin e shumëfishtë të të infektuarve dhe viktimave. Ajo që duhet të kuptojë qeveria ilegale aktuale sot është se pandemia do të qëndrojë me ne për një kohë të gjatë. Disa gjëra mund të kthehen në normalitetin që kishim para pandemisë, mirëpo shumë gjëra nuk do të kthehen”, ka thënë Pacolli.

“Mbyllja e disa shërbimeve, që i aplikuam ne në fillim dhe tani insistimi i qeverisë ilegale për gjendje të jashtëzakonshme, që duket se është masa që i konvenon më së shumti kësaj qeverie, nuk janë zgjidhje. Nuk është zgjidhje as vazhdimi i politikave para situatës pandemike. Duhen politika të reja, kreativitet për t’u përshtatur në normalitetin e ri, që po transformon mënyrën se si po punojmë, jetojmë udhëtojmë, socializohemi, kujdesemi për veten dhe familjen. Duhen politika të reja sociale, qasje e re dhe sjellje e re. Ky normalitet i ri kërkon përgatitje, koordinim, planifikim dhe mbi të gjitha bashkëpunim dhe mirëbesim në mes të shtetit dhe qytetarit. Kërkon qeveri të përgjegjshme që aplikon politika sociale që ofron siguri dhe mbështetje te qytetarët, politika të mira që nxisin ndjenjën e përgjegjësisë shoqërore dhe individuale”.

Sipas Vetëvendosjes, qeveria aktuale po heziton të marr përsipër menaxhimin e situatës.

“Mungesa e një qeverie të përgjegjshme e cila nuk heziton të marr mbi supet e saj menaxhimin e situatës, ka përkeqësuar situatën, ka rritur pasigurinë dhe po dëmton solidaritetin shoqëror. Pandemia ka vënë në pah rëndësinë e sistemit social të mbrojtjes për të plotësuar nevojat esenciale të njerëzve. Sot një pjesë e madhe e qytetarëve, të zhytur në kredi e pa kursime, ndjehen të pasigurt dhe pa mbështetje. Mungesa e kushteve dhe shërbimeve esenciale po ndikon në përditshmërinë e tyre dhe në kryerjen e obligimeve ditore”, ka thënë Pacolli, ndër të tjera.