Fjalë Kyçe

Padia për gjenocid kundër Serbisë nuk do të jetë e lehtë

Padia për gjenocid kundër Serbisë nuk do të jetë e lehtë

Dy sfida të mëdha e presin Kosovën në rast se tenton të padisë Serbinë për gjenocid, sipas dekanit të Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës, Avni Puka. Ndërkaq, sipas drejtorit të Fondit për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj, përmendja e shpeshtë e gjenocidit, por mospuna për të kryer punë po shkakton zhgënjim te familjarët e viktimave në Kosovë.

Për paralajmërimin e Qeverisë Kurti për paditjen e Serbisë për gjenocid, Puka ka thënë se Kosovën e pret një rrezik i lartë nëse i hyn kësaj rruge.

“Nëse flasim për peshën, koncepti mbi gjenocidin dhe formulimi i tij mbi aktet ndërkombëtare, gjenocidi përcaktohet si krim që kryhet me qëllim për të shfarosë në tërësi apo pjesërisht një grup etnik, racor e kombëtar ose fetar. Në krye të piramidës së krimeve është gjenocidi. Pesha e tij është e madhe”, ka dhenë ai shpjegimin për gjenocidin. Sipas tij, nëse Kosova i hyn rrugës së paditjes së Serbisë, i duhet të ketë një vlerësim të mirëfilltë e të thellë se si duhet të vazhdohet. Si raste që kanë dështuar ka përmendur Kroacinë, por edhe Bosnjën që iu pranuan vetëm disa elemente, “por jo edhe padia që të paditet shteti”.

“Janë dy sfida të larta. Standardi i lartë për të pranuar padi për gjenocid dhe në rastin e dytë ne s’jemi anëtare e OKB-së. Në kuptimin procedural shtete anëtare s’e kanë problem. Për ne sfida e parë është ta tejkalojmë këtë që të jemi palë. Apo krejt këtë mund ta bëjë një shtet i tretë. Pastaj është sfida e të provuarit. Duhet ta mendojmë tani e jo kur të arrijmë aty. Në çfarë baze mund ta provojmë se ka pasur gjenocid. E nëse konstatohet apo refuzohet kosto mund të jetë shumë e lartë në aspektin diplomatik e politik. Duhet të mendohet tani, pa e kontestuar pretendimin që të diskutojmë për këtë apo që të shkojmë për të. Aktualisht ky është rreziku që duhet të mendohet tash pasi mund të ketë situatë aspak të favorshme. Kjo mund t’i vështirësonte gjërat për Kosovën”, ka thënë ai në emisionin Desku në KTV.

Ndërkaq, sipas Blakajt, çështja e gjenocidit është përmendur zakonisht vetëm në fushata apo zgjedhje. Ai ka thënë se kjo ngjallë shpresë te komuniteti i viktimave, e që pasohet me zhgënjim.

“Nëse përmendet gjenocidi nga ana tjetër s’bëhet asgjë, që të mblidhen provat e dokumentimet mund të sillen vetëm dëme. Sepse zhgënjimi i viktimave vazhdon. Pala tjetër krijon njëfarë rezistence dhe kjo sigurisht s’dërgon te pajtimi në të ardhmen”, ka thënë ai, teksa ka shtuar se pranimi i provave apo dokumentimi i viktimave duhet të pranohet nga të gjitha palët dhe kjo do të mund të lehtësonte ballafaqimin me të kaluarën.