Pagesa e fundit përmes përmbaruesit që iu bë kompanisë turke “Tabanlioglu”, e cila e kishte hartuar projektin e stadiumit kombëtar, i ka dëmtuar pesë projekte të tjera sportive që ishin planifikuar të realizoheshin brenda këtij viti.
Thesari i Ministrisë së Financave dhe Transfereve e kishte kryer urdhrin për pagesë në vlerë prej 585 mijë eurosh, duke marrë mjetet në llogarinë e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila refuzonte ta kryente pagesën e fundit shkaku i një gabimi që kishte ndodhur në kontratë, e që kishte të bënte me tatimin.
Pishinës Olimpike, që është planifikuar të ndërtohet në Prizren, i janë marrë 100 mijë euro. Nga 100 mijë euro i janë marrë edhe stadiumit të qytetit në Viti, stadiumit të Studenqanit dhe Irzniqit. Kurse 43 mijë e 87 euro janë tërhequr nga kodi buxhetor i projekti për fushat ndihmëse. Në total, pesë projekte sportive janë dëmtuar me 443 mijë e 87 euro.
Në fakt, zyrtarja për financa në MKRS, Taibe Selmani, i kishte kërkuar drejtorit të Departamentit të Sportit, Ibër Alaj, që ta jepte kodin buxhetor për t’u kryer pagesa.
Por, në bisedat që ishin realizuar përmes emailit e të cilat i ka siguruar “Sporti në KTV”, Alaj kishte refuzuar që ta jepte kodin, duke thënë se si menaxher i kontratës nuk do ta procedojë pagesën e fundit pa ofrimin e sqarimit ose amendamentimin e kontratës.
Pas kësaj, Ministria e Financave e kishte kryer pagesën, duke marrë paratë e planifikuara për pesë projekte të tjera sportive dhe në këtë formë i ka dëmtuar ato.
Lidhur me këtë çështje në Ministrisë e Sportit nuk kanë dashur të flasin.
Projekti i stadiumit kombëtar i ka kushtuar Kosovës 1 milion e 440 mijë euro. Për këtë projekt kompania nga Turqia nuk ka paguar tatim në Republikën e Kosovës.
Së fundmi, Ministria e Sportit po mendon që ta ndërrojë sërish lokacionin e stadiumit kombëtar, i cili është planifikuar të ndërtohet në Korroticë të Drenasit.