Për nëntë muaj pune në Spitalin e Gjilanit në periudhën janar-shtator të 2021, janë realizuar 1,356 operacione.
Nga to 943 i takojnë degëve kirurgjike për të cilat Klan Kosova ka raportuar javë më parë dhe 413 të tjera janë ndërhyrje gjinekologjike.
Krejt këto, sipas raportit zyrtar të punës të cilin e ka siguruar televizioni del se njëri anesteziolog ka kryer më shumë raste – 421 procedura të anestezionit në sallat operative se sa totali i punës në Repartin e Gjinekologjisë, ku janë 413 operacione të realizuara nga 11 gjinekologë dhe katër specializantë.
Pos këtij anesteziologu me 421 procedura për të gjithë nëntë muajt e këtij vit, janë edhe katër të tjerë të cilët radhitën me nga 388, 227, 174 dhe 169 procedura operative.
Këtë, shifrën e fundit, por që në raport me ditët e punës prapë është e lartë e kryen hiq më pak se vetë drejtori i këtij spitali, Arsim Emini.
Sipas raportit, ka dallim të madh në numrin e rasteve të trajtuara nga gjinekologët, ku shumica janë lindje me prerje cezariane, të pasuara nga patologjitë tjera, si operacione të cisteve dhe heqjes së tumoreve.
Paga bazë bruto është e njëjtë për të gjithë, 651 euro. Një specialist i gjinekologjisë ka realizuar vetëm 12 intervenime për nëntë muaj, krahas dikujt që maksimumin e operacioneve të kryera e ka për 104 më shumë, rrafsh 116 sosh.
Dallime ka edhe tek katër specializantët e kësaj fushe, njëri nga ta është me zero operacione të bëra, ndërsa tre të tjerët kanë shënuar 1, 3 dhe 8 operacione.
Kjo është pjesa e dytë e raportimit mbi punën e mjekëve specialistë në Gjilan, ku del që për profesionin dhe pagën e njëjtë, dallimi është i madh kur bëhet fjalë për punët e kryera tek intervenimet kirurgjike.