Fjalë Kyçe

Pakënaqësi me qeverisjes e Shpend Ahmetit në Prishtinë

Rreth dy vite qeverisje të kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti po cilësohen nga opozita dhe shoqëria civile si zhgënjyese për shkak të dështimeve në realizimin e projekteve kapitale.

Sipas tyre, për këto vite nuk po ndryshon asgjë në kryeqytet dhe në një formë kryeqyteti nuk ka kryetar. Ndërkaq, zyrtarët komunalë i mohojnë këto akuza dhe thonë se ky do të jetë viti i investimeve në infrastrukturën rrugore.

Nga partia më e madhe opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, thonë se Prishtinën po e përcjell një keq qeverisje në shumë fusha. Asamblisti, Agim Gashi shprehet se në bazë të raportit të auditorit po shihet keq menaxhimi në shumë fusha e në veçanti investime kapitale.

“Nëse iu referohemi raporteve qoftë periodike, qoftë të auditorit shihen se Prishtinën po e përcjell një keqqeverisje dhe keq shpenzim i mjeteve në shumë fusha dhe në veçanti në investime kapitale. Sepse mos realizimi i tyre, realizimi jo cilësor mos shpenzimi i mjeteve, shpenzimi i ulët i mjeteve ne na bën të vlerësojmë se Prishtina po keq qeveriset”, thotë ai.

Edhe partia tjetër opozitare, Lëvizja Vetëvendosje ka adresuar kritika të shumta për gjitha vonesat dhe zvarritjet e projekteve kapitale.

Asamblisti i kësaj partie, Eman Rrahmani thotë se këto janë dështime direkte të kryetarit Ahmeti.

“Premtime të tilla ka pasur vitin e kaluar, madje asamblist të partisë së Shpend Ahmetit kanë deklaruar dhe publikisht që do të përfundoj vitin e kaluar komplet dhe jo fillimi i saj. Por deri tash as nuk ka filluar e lerë më të përfundohet. E njëjta punë është dhe me kolektorit problemet me pronar atje nuk e di që janë zgjedhur…ky është një dështim direkt i kryetarit për qytetin, do të thosha më shumë për shkak të neglizhencës dhe dembelisë së tij”, thotë ai.

Kritika për mos arritjen e realizimit të projekteve kapitale në Prishtinë ka dhe nga shoqëria civile dhe organizatat që e mbikëqyrin komunën.

Nga organizata joqeveritare “Çohu”, Arton Demhasaj deklaron se në Prishtinë nuk po ndryshon asgjë, kjo sipas tij, po ndodh për shkak të mos shpenzimit të parave që janë të parapara për investime kapitale.

Për këtë regres, ai thotë se ka një paaftësi apo neglizhencë në qeverisjes në Prishtinë si në projektin e parkingut nëntokësor, ashtu dhe zvarritjet e ndërtimit të kolektorit në Kalabri.

“ Ndoshta është paaftësia, apo është neglizhenca, apo nuk e di si me quajt qeverisjen që po ndodhë në Prishtinë. Për faktin se nuk po ndryshon asgjë në kryeqytet dhe për faktin se nuk po arrihet të shpenzohen parat që kanë qenë të parapara për investime kapitale në komunë… u bën dy vite që po qeveriset Prishtina dhe nuk po e shohim asnjë parking që ka nisur me u investuar në Prishtinë… Kundërmimi dhe era që vjen është shumë më e madhe para se që ka filluar me u punu. Në vend që me përfunduar ky projekt dhe qytetarët me përfunduar më përfituar nga ky projekt, qytetari vetëm sa e kanë më keq situatën, sidomos ata që jetojnë për rreth këtij lumi”, deklaron Demahasaj.