Fjalë Kyçe

Vuçiq pas takimit me Palmerin optimist për rifillimin e dialogut 

Vuçiq pas takimit me Palmerin optimist për rifillimin e dialogut 

(E plotësuar)I dërguari i posaçëm i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer, takoi të hënën në Beograd presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Pas takimit, dy zyrtarët iu drejtuan mediave.

Palmer tha se vendimi i Bashkimit Evropian për të mos caktuar një datë për fillimin e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë ishte “gabim historik”.

“Sipas mendimit tonë, ky është një gabim historik dhe një mesazh i keq për rajonin”, tha Palmer.

Ai deklaroi se SHBA-ja do një perspektivë evropiane për Ballkanin Perëndimor dhe tha se do të punojë për t’i bindur udhëheqësit e BE-së që ta bëjnë këtë përpara samitit të Zagrebit.

Palmer tha se ka diskutuar me Vuçiqin për situatën politike jo vetëm në Serbi, por edhe në rajon.

Me këtë rast, ai tha se subjekti politik Lista Serbe ka marrë mbështetjen e shumicës së serbëve të Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit dhe se me këtë e ka fituar të drejtën për t’u përfaqësuar në Qeverinë e Kosovës.

“Unë mendoj se në Kosovë ka vend për shumë zëra të ndryshëm që duhen dëgjuar, por është gjithashtu e rëndësishme të respektohen rezultatet e zgjedhjeve”, tha Palmer.

Kreu i shtetit serb, Aleksandar Vuçiq është shfaqur optimist rreth çështjes së rifllimit të dialogut Kosovë-Serbi.

“Unë besoj se për çështjen e Kosovës, brenda dy ose tre muajsh do të kemi kushte për vazhdimin e dialogut, të cilat ne presim të çojmë në një zgjidhje kompromisi”,tha ai.

———————-

Palmer takohet me Vuçiqin në Beograd

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka pritur në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit dhe Përfaqësuesin Special për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Sipas raportimeve të mediave serbe, fillimisht u mbajt një takim “kokë më kokë” dhe më pas vazhdoi me zyrtarë të tjerë.

Zyrtari i lartë amerikan ka deklaruar së fundmi se Serbia kurrë nuk do të hyjë në Bashkimin Evropian nëse nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Diplomati amerikan shkon në Beograd pas vizitës  në Kosovë, ku ai në Prishtinë zhvilloi një takim me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe disa nga përfaqësuesit e partive politike.

Në muajin gusht, Departamenti amerikan i Shtetit e ka emëruar Palmerin përfaqësues të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, me mandat për të ndihmuar integrimin e rajonit në institucionet perëndimore.

Kurse në fillim të muajit tetor, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka emëruar Richard Grenellin të dërguar të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi.