Zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Mathew Palmer, tha se SHBA-ja do të vazhdojnë të jenë partner mbështetës i Kosovës, porse porositi institucionet e Kosovës që të angazhohen në fuqizimin e fuqizimin e rendit dhe ligjit.
“Një e ardhme e ndritur varet nga rendi dhe ligji, demokracia e fortë dhe llogaridhënia si dhe refuzimi i pandëshkueshmërisë”, deklaroi Palmer.
Zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Mathew Palmer, gjatë fjalës së tij, foli edhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ai tha se tani është koha ideale për t’u arritur marrëveshja përfundimtare në mes të të dyjave vendeve.
“Nuk ka kohë më të mirë, më të përshtatshme se tani për ta bërë këtë. Greqia dhe Maqedonia (e Veriut) së fundmi e arritën pajtimin dhe ka qenë kjo e arritur nga liderë largpamës dhe natyrisht duke i harruar konfliktet e kaluara”, tha Palmer.
“Kosova dhe Serbia gjithnjë do të jenë fqinjë dhe do të jenë shumë të ngushtë dhe natyrisht të dyja vendet duhet të zhbllokojnë të ardhmen evropiane dhe të orientohen nga stabiliteti dhe përparimi”, deklaroi Palmer.