Pandemia e Covid-19 ka bërë që përreth botës të shfaqen probleme të mëdha, sidomos me ekonominë. Njëjtë edhe në Kosovë. Por megjithatë, në vendin tonë siç duket ka pasur një ndikim në rënie të numrit të aksidenteve me fatalitet.
Të paktën kjo vërehet në disa statistika të cilat Gazeta Metro i ka siguruar nga Policia e Kosovës.
Përgjatë muajve janar-shtator të vitit 2019, në vendin tonë janë shënuar gjithsej 66 aksidente fatale, me plot 76 persona të cilët kanë humbur jetën.
Ndërkaq, në periudhën e njëjtë të vitit 2020, në Kosovë kanë ndodhur 51 aksidente fatale ku kanë vdekur plot 55 persona.
Bazuar në këto statistika të sigurara nga Metro, shihet se këtë vit në aksidente rrugore kanë gjetur vdekjen 21 persona më pak se sa gjatë vitit të kaluar.
Përveç kësaj, vërehet edhe rënie e numrit të aksidenteve me lëndime, ku ka pasur 4443 në vitin e kaluar krahasuar me 3663 gjatë këtij viti.
Në këto shifra, me gjasë ka ndikuar edhe pandemia Covid-19 ku gjatë muajit mars në Kosovë u shënuan rastet e para pozitive, e cila më pas pasoi me mbyllje totale ku përreth dy muaj thuajse të gjitha qytete në Kosovë ishin në karantinë të plotë, e që lejohej dalja vetëm në orare të caktuara.
Kujtojmë se deri sot në Kosovë numri total i rasteve pozitive është 17,009 raste nga 80.886 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 656 raste të vdekjes.
IKSHPK dje njoftoi se numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 14,716 raste, kurse numri i rasteve aktive është 1,637.