Fjalë Kyçe

Pandemia po i rrezikon me shuarje klubet e futbollit, donatorët s’po kanë më para!

Pandemia po i rrezikon me shuarje klubet e futbollit, donatorët s’po kanë më para!

Futbolli kosovar po rrezikon t’i humbas edhe ata donatorë të paktë që i ka. Prijësit e klubeve ndihen të lodhur duke dhënë para prej vitesh në futboll.

Kurse, pandemia ka ndikuar keq te bizneset e tyre dhe po paralajmërojnë mundësi tërheqjeje nga futbolli. Duke folur për Gazetën Express donatorë të mëdhenj, si Remzi Ejupi, Arsim Kabashi, familja Batatina, Abedin Zeka ankohen se bizneset e tyre i ka prekur pandemia dhe po e kanë shumë problem t’i vazhdojnë investimet në futboll. Ata e kritikojnë shumë ashpër Federatën e Futbollit dhe Qeverinë për mospërkrahje as në këtë kohe pandemie, duke i kontribuar kështu rrezikut të shuarjes së klubeve. FFK u është kundërpërgjigj me kritikë, kurse në Qeveri thonë se nesër futbolli mund ta marrë një lajm të mirë

Pandemisë nuk po i shpëton as futbolli i Kosovës, i cili edhe ashtu prej vitesh ka ndje krizë të madhe financiare, duke mos i mjaftuar miliona euro që nga paslufta që ia kanë dhënë vullnetarisht disa donatorë klubesh, e të cilët në anën tjetër nuk kanë përfituar asgjë.

Kjo për shkak se futbolli kosovar nuk ishte pjesë e UEFA-s dhe FIFA-s, ndërsa në geto të plotë luftohej veç për ta mbajtur gjallë sportin më popullor të vendit tonë, ku si pasojë ishin shuar numër i madh klubesh.

Ndërsa, anëtarësimi në UEFA e FIFA nuk është që u ka bërë zgjidhje klubeve, por që i ka ndihmuar paksa tri-katër klube që kanë arritur të kualifikohen në gara evropiane.

Pra, kriza ekonomike është ndje edhe pas ndërkombëtarizimit, ndërsa ajo po e rrezikon futbollin sidomos tani në këtë kohë pandemie, e cila erdhi në një kohë kur donatorët nuk e prisnin dhe kishin filluar investime edhe më të mëdha për ta ngrit nivelin e futbollit kosovar.

Kështu thonë prijës të klubeve, të cilët investojnë në futboll përmes bizneseve të tyre, e të cilat janë përfshirë nga kriza ekonomike si pasojë e koronavirusit.

Ata i kanë thënë Gazetës Express se nuk janë ndihmuar asnjëherë për t’i mbajtur klubet, as në kohët më të vështira, ndërsa shprehin zhgënjim që nuk po ndihmohen as në këtë kohë pandemia as nga Qeveria e as nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), për të cilën insistojnë sa ka mundësi të ndihmojë, pasi sipas tyre shtëpia e futbollit kosovar vazhdimisht merr shuma të mëdha parash nga UEFA e FIFA. Por që nuk po tregohet e aftë për ta hartuar një plan që ta ndihmojë futbollin kosovar.

Sipas tyre, ndihma e deritanishme në pandemi e FFK-së për klubet ka qenë tepër e vogël dhe aspak e mjaftueshme, por atë e ka bërë vetëm sa për të thënë që po ndihmon.

Kurse, për Qeverinë thonë se futbolli del të jetë sektori i fundit për të cilin mendon.

Ata frikësohen se do t’iu vjen puna të dorëzohen, siç janë dorëzuar edhe më herët shumë donatorë, për t’i shpëtuar bizneset e tyre nga falimentimi, pasi kanë marrë mësim nga e kaluara kur njerëz të pasur e kishin shkrirë pasurinë në futboll, duke humbur gjithçka që kishin.

“Do të ketë shumë probleme, ishalla zvogëlohet numri i rasteve me pandemi, kjo është më e rëndësishmja. Në të kundërtën do të ketë shumë probleme. Unë për vete nuk mund të mbijetoj, besoj edhe shumë klubet të tjera”, thotë për Gazetën Express njëri prej donatorëve më të vjetër në futbollin kosovar, Abedin Zeka.

Edhe lideri i Superligës ndjen krizë financiare, lëre më klubet tjera!

Ballkani është një klub serioz, i organizuar, dhe që njihet për qëndrueshmëri financiare falë donatorit Arsim Kabashit, që vjen nga Cima Construction.

Falë investimeve të tij Ballkani po shkëlqen qe dy vjet në Superligë, ku momentalisht edhe kryeson në rrugën drejt titullit.

Por, vetë Kabashi e konfirmon për Gazetën Express se po ndjen vështirësi shkaku i pandemisë.

Ai mbetet me shpresë që instucionet t’ia zgjasin dorën e ndihmës në futboll.

“Këtë periudhë të pandemisë po e kalojmë me vështirësi, dihet se klubet janë në krizë financiare. As ne nuk e kemi të lehtë, për këtë jemi të vetëdijshëm, por po mundohemi t’ia dalim. Shpresoj që të marrim mbështetje dhe përkrahje financiare nga institucionet përgjegjëse. Shpresojmë të vijnë ditë më të mira për futbollin kosovar, respektivisht për klubet”, deklaroi Kabashi për Gazetën Express.

Kur, një klub si Ballkani ndjen krizë financiare, ajo përjetohet shumë më rëndë te klubet tjera.

“Pandemia ka ndikuar shumë tek Trepça ’89, por besoj edhe tek krejt klubet kosovare. Edhe pse ne nuk ju kemi mbetur borxh asnjë muaj lojtarëve, e kemi pasur dhe po e kemi mjaft të vështirë”, thotë për Express kryetari i Trepçës ’89, Abedin Zeka.

Njëjtë shprehet edhe donatori i Llapit, Tahir Batatina.

“Kemi shpenzime të jashtëzakonshme. Janë aty Prishtina, Llapi, Drita, Gjilani, Feronikeli, Ballkani që shpenzojnë shumë dhe është e vështirë për t’ia dalë. Ne e dimë të gjithë se jo vetëm Llapi, por edhe klubet tjera gjenden në vështirësi në këtë periudhë. Duke e pasur parasysh që tash nuk i kanë as shikuesit në stadium, ky është një tjetër problem. Plus reklamimi, që nuk është si dikur. Është shumë e vështirë të përballohet sidomos ky kampionat, ku janë rritur shpenzimet, është rritur kosto, është ngritur niveli i ligës, skuadrat kanë bërë organizim më të mirë”, tha Batatina për Express.

Batatina: Falë vëllezërve të mi nga diaspora mezi po ia dalim

Llapi qe disa vite sponsorohet nga familja Batatina, disa anëtarë të së cilës jetojnë dhe veprojnë në diasporë, e disa në Kosovë.

Njëri prej vëllezërve, Tahir Batatina, tregon për vështirësitë e familjes së tij që po i dalin në financimin e Llapit.

“Ne si Llap e kemi mjaft të vështirë ta përballojmë këtë situatë. Ne po ia dalim falë donatorëve që i kemi jashtë, pra vëllezërve të mi, që po e japin maksimumin. Do të ishte mjaft e vështirë t’ia dalim me mjetet që i kemi në Kosovë, edhe pse e kam ndërmarrjen time. Ne deri më tash jemi duke ia dalë mjaft mirë me paga dhe me kontrata, jemi mirë financiarisht. Por, sa do të mund t’ia dalim pa na përkrahur institucionet, do të jetë shumë e vështirë. Hajde këtë sezon po e kalojmë, por çka do të ndodhë në edicionin e ardhshëm!”, thotë Batatina për Express.

Ai pohon se duhet bërë presion mbi Qeveri dhe FFK që ato t’ia ofrojnë dorën e ndihmës.

Zeka: Vetëm shtyrja e kampionatit i kushtoi klubit tonë 70 mijë euro shpenzim më shumë!  

Kryetari i Trepçës ’89, Abedin Zeka, duke folur për Gazetën Express, thotë se pandemia ka bërë që klubeve veç çka t’iu shtohen shpenzimet dhe humbjet. Kurse, ndihma për to nuk ekziston nga askush.

“Shtyrja e kampionatit të kaluar na ka kushtuar 70 mijë euro rroga për dy muaj. Plus jemi në minus për faktin se nuk kemi të hyra nga biletat”, thotë ai.

“Jo që kemi humbur, por kemi humbur shumë. Tash janë vetëm 10 skuadra në Superligë dhe interesimi i shikuesve është më i madh, ka derbi çdo javë. Kurse, ndeshjet po luhen pa shikues. Këto janë ato pasojat. Ne duhet t’i bëjmë të gjitha pagesat dhe shpenzimet prej xhepit tonë. Shpresojmë që të mos kthehet përsëri pandemia. Nëse vazhdon kështu unë besoj që edhe futbolli edhe të gjithë do të pësojnë”, tha Zeka.

Ejupi: Federata i vlerëson njerëzit sipas votës, donatorët i urren!

Remzi Ejupi është njëri prej donatorëve më të mëdhenj dhe më të vjetër në futbollin kosovar si aksionar i FC Prishtinës.

Nga bizneset e tij një pjesë të madhe të parave ia ka ndarë prej vitesh futbollit dhe FC Prishtinës.

Atij nuk i dhimbsen paratë që i jep në futboll sa i dhemb mosrespektimi i Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) për donatorët që ndajnë kafshatën e gojës për futboll.

“Shumicën e kostos në futbollin e pasluftës e kanë mbuluar donatorët, njerëzit e vullnetit të mirë. Ata në fund janë njerëzit më të urryer. FFK-ja i vlerëson njerëzit sipas votës, e jo në bazë të kontributit të tyre”, thotë Ejupi në një prononcim për Gazetën Express.

“Sa i përket futbollit, ne edhe para pandemisë kemi pasur probleme. Tek ne nuk merret në konsideratë investimi i donatorëve. Deri tash janë investuar deri në 100 milionë euro nga klubet në futboll dhe për investitorët nuk kanë konsideratë as Federata as institucionet. E vetmja gjë që vlen të përmendet është se ka kaluar Ligji për Sponsorizime, por që fatkeqësisht na kapi në pandemi dhe nuk e kemi shijuar ende. Dëmi është shumë i madh, edhe pse garat po zhvillohen, po shtyhemi dhe po ia dalim disi. Njerëzit më të urryer janë investitorët në futboll për arsye se i shohin me një sy shumë të keq. Kur ka rezultate të mira i lavdërojnë, e kur s’ka, i urrejnë dhe etiketojnë”, ankohet Ejupi.

Ejupi godet FFK-në: Federata po thotë po i ndihmojmë klubeve duke na dhënë para që edhe ashtu janë ekskluzivisht për klube!

Remzi Ejupi, president i FC Prishtinës, thotë se FFK-ja po gënjen kur po thotë se po u ndihmon klubeve, pasi sipas tij, ato para edhe ashtu u takojnë ekskluzivisht klubeve.

Dhe, sipas Ejupit, FFK në fakt nuk po ndihmon asgjë.

“Federata na ka premtuar nga 20 mijë euro para fillimit të sezonit, por ato nuk janë para që na jep Federata, por janë të drejtave televizive. Ato i llogarit FFK-ja dhe thotë se ju ndihmova klubeve. Të gjitha ato miliona kanë hyrë në Federatë deri tash dhe askush nuk jep llogari se ku kanë shkuar. E kur është puna që të ndihmohen klubet në këto momente të rënda, nuk po intervenon Federata”, tha ai.

“Ne jemi të stër-dëmtuar pasi jemi shumë moti në futboll dhe akoma nuk i kemi shijuar ato të mirat e pranimit në UEFA e FIFA dhe të Ligjit për Sponsorizim. Federata i ka dhënë nga 350 euro për secilin anëtar të klubit, por imagjinojeni se sa shpenzimet i kemi ne si klub. Në shumë vende, janë edhe Komunat të involvuara që i ndihmojnë klubet. Kjo ndodh edhe në Kosovë. Por, Prishtina për 20 vjet pasluftës asnjëherë nuk ka pasur përfitim nga Komuna. Shumë pak ka pasur interesim Komuna për klubin”, u shpreh Ejupi.

Batatina: Qeveria e Federata s’po na ndihmojnë

Donatori i Llapit, Tahir Batatina, duke folur për Express, i bën thirrje FFK-së dhe Qeverisë t’i dalin në ndihmë futbollit i cili është në rrezik të përballet me shuarje klubesh.

“Shpresojmë të na ndihmojnë institucionet. Qeveria e ka folur shumën prej 5 milionë eurosh, por deri më tani asnjë cent nuk e ka dhënë. Mendoj se këtu duhet të bëhemi të gjitha klubet bashkërisht, por edhe Federata duhet të na ndihmojë, që të paktën këtë gjendje aktuale dhe këtë krizë ta kalojmë disi”, thotë Batatina me shqetësim.

Salihu: I kemi ndarë gati 2 milionë euro ndihma, klubet mos presin nga ne që t’ua paguajmë rrogat!

Kur kanë kaluar tetë muaj prejse janë paraqitur rastet e para me koronavirus në vendin tonë, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) në muajin prill e kishte nxjerr një pako emergjente për t’iu dal në ndihmë klubeve të futbollit.

FFK-ja i kishte ndihmuar me nga 350 euro nga 35 anëtarë të klubeve të Superligës, me nga 200 euro i kishte ndihmuar nga 30 anëtarë të klubeve të Ligës së Parë.

Kurse, me nga 150 euro i kishte ndihmuar nga 25 anëtarë të klubeve të Ligës së Dytë dhe me nga 100 euro i kishte përkrahur nga 20 persona nga secili klub i Ligës së Tretë.

Këso shumash kishte shpërndarë edhe në futbollin femëror dhe për gjyqtarë e delegatë.

Por, klubet po ankohen se FFK nuk po i ndihmon dhe se ende nuk ua ka dhënë nga 20 mijë euro të premtuara nga kryetari Agim Ademi.

“Federata na ka premtuar nga 20 mijë euro kur e kemi pasur takimin e fundit para fillimit të kampionatit me kryetarin. Por, ato 20 mijë euro, sa kam unë njoftim, nuk i janë lëshuar askujt. As paratë që na takojnë prej UEFA-s nuk i kemi marrë akoma”, thotë për Express presidenti i Trepçës ’89, Abedin Zeka.

Por, sekretari i FFK-së, Eroll Salihu, duke folur për Express, thekson se FFK deri më tani u ka ndihmuar klubeve dy herë – njëherë me 1.2 milion dhe njëherë tjetër me 700 mijë euro.

“Federata është shembull në rajon për ndihmën që ua ka dhënë klubeve. Edhe UEFA e FIFA e dinë që jemi shembull në regjion. Vetëm herën e parë i kemi ndarë 1.2 milion euro dhe më pas rreth 700 mijë euro. Pra, pothuajse dy milionë i kemi ndarë për klubet në këtë periudhë pandemie, e me to kemi mundur të bënim fusha sintetike apo në vendet ku kanë qenë të destinuara. Këto janë ndihmë për klubet, por për ne faktikisht si Federatë janë humbëse”, thotë Salihu.

Ai i “godet” klubet për keqmenaxhim. “Mos të presim që Federata t’i mbajë më paga lojtarët, është absurde. Por, do të mundohemi të ndihmojmë sadopak për pjesë të tjera që nevojiten në shpenzimet e përditshme për shembull që i kanë. Nuk duhet të mendojë një klub që ne duhet t’i ndihmojmë edhe në rroga. Nëse do të kishim mundësi, pse jo. Klubet e kanë ditur mirë që mund të kthehet vala e dytë e pandemisë. Duhet të maten mirë se sa kontrata po i bëjnë. Nëse nuk ke mundësi t’i paguash lojtarët, nuk duhet të presësh dhe të varesh prej dikujt”, u shpreh Salihu.

Sipas tij, klubet para se t’u ofrojnë rroga nga 5 apo 10 mijë euro në muaj futbollistëve le të maten mirë se a kanë para.

“Esenca është që ne me kënaqësi do të ndihmojmë sa të mundemi. Ne megjithatë nuk kemi të drejt që mjetet tjera t’i shpenzojmë për klubet. Ju po i shihni, i kemi 10 reprezentacione, janë shpenzimet enorme”, nënvizoi Salihu.

Nga Qeveria ende asnjë cent!  

Qeveria e Kosovës, e cila udhëhiqej muaj më parë nga Albin Kurti, në kuadër të pakos emergjente kishte vendosur t’i ndajë 5 milionë euro për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shumë kjo pastaj që do të duhej t’u ndahej sportit, kulturës dhe rinisë.

Lëre që për sportin konsiderohej ndihmë jashtëzakonisht e vogël, por as tani kur po hyjmë në nëntor klubet e futbollit s’e kanë marrë asnjë cent nga ajo shumë.

Procesi i shpërndarjes ka ngelur me të madhe, kurse nevoja për ndihmë është rritur në masë të madhe. Gazeta Express ka kontaktuar me Ibër Alajn nga Ministria e Sportit, i cili tha se qysh nesër Qeveria e Kosovës pritet të marrë vendim për ekzekutimin e ndihmës për sportin, kulturën e rininë.