Fjalë Kyçe

Paneli i Apelit refuzon ankesën e mbrojtjes së Krasniqit ndaj vendimit të gjyqtarit paraprak mbi paraburgimin

Paneli i Apelit refuzon ankesën e mbrojtjes së Krasniqit ndaj vendimit të gjyqtarit paraprak mbi paraburgimin

Paneli i Apelit, i kryesuar nga Michèle Picard, ka refuzuar ankesën e mbrojtjes së Jakup Krasniqit të ushtruar ndaj vendimit të gjyqtarit paraprak, me anë të së cilit ishte bërë vazhdimi i masës së paraburgimit.

Sipas vendimit, gjyqtari i procedurës paraprake në mënyrë të qartë konsideroi se kishte marrë informacione të mjaftueshme, veçanërisht në lidhje me kushtet shtesë dhe kapacitetin e Policisë së Kosovës për të zbatuar masat monitoruese dhe paneli ka konstatuar se gjyqtari i procedurës paraprake nuk ka gabuar në përfundimin se në bazë të një informacioni të tillë para tij, “Kushtet shtesë dhe çdo kusht tjetër i vendosur nga gjyqtari i procedurës paraprake janë të pamjaftueshme për të zbutur rrezikun [e identifikuar]”.

“Paneli nuk konstaton se një përfundim i tillë paragjykon në asnjë mënyrë rezultatin e kërkesave të mbrojtjes në të ardhmen për lirim të përkohshëm pasi gjyqtari i procedurës paraprake i konsideroi saktë kushtet e lirimit përkundrejt rrethanave specifike të rastit në kohën kur u zhvillua shqyrtimi. Për më tepër, kjo nuk e pengon gjyqtarin e procedurës paraprake që të vlerësojë të njëjtat kushte ndryshe në të ardhmen, nëse vlerësimi i tij për rreziqet ekzistuese ndryshon ose konsiderata të tjera që garantojnë lirimin e të akuzuarit bëhen të zbatueshme”, thuhet në këtë vendim.

Po ashtu në ankesë thuhej se mbrojtja e Krasniqit zhvillon një bazë të ankesës që konsiston në keqpërdorimin e pretenduar të diskrecionit të kryer nga gjyqtari i procedurës paraprake në lidhje me vlerësimin e kushteve të lirimit. Kurse, thuhet se mbrojtja kërkon që Kolegji i Gjykatës së Apelit ta miratojë ankesën, t’i korrigjojë këto gabime dhe të urdhërojë lirimin e përkohshëm të tij.

Ndryshe, më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen e personave me forcë dhe persekutimin.

Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe vrasjen.

Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe persekutimin.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor./BetimiperDrejtesi