Vasfije Krasniqi – Goodman, e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës ka rikujtuar kohën para se të përjetonte tmerrin nga paramilitarët serbë.
Ajo në Facebook ka publikuar një fotografi kur ishte veç 16-vjeçe.
‘Para se të ma shkatërronin fëmijërinë’’, ka shkruar Vasfija sipër fotografisë, transmeton Periskopi.
Në tetor të vitit të kaluar, për herë të parë, Vasfije Krasniqi kishte rrëfyer tmerrin e përjetuar gjatë luftës. Ajo me lot në sy kishte treguar për torturat që kishte përjetuar në luftë, e që në atë kohë ishte po ashtu 16-vjeçare.
Ajo tregon se gjatë kohës së luftës në Kosovë ishte përdhunuar nga dy serbë: njëri prej tyre polic i regjimit të Slobodan Millosheviqit dhe rasti kishte ndodhur në fshatin Babimovc të Vushtrrisë.
“Më 14 prill të vitit 1999 kam qenë në oborr dhe kam hyrë brenda dhe i kam thënë nënës me dalë dikush te dera me qelë derën. Dikush jashtë derës na tha ‘qelne derën’… edhe është dashtë me qelë… Ne nuk e dinim nëse kanë hy me na vra apo kanë hy me bastisë, mirëpo ai pyti se ku e keni babën edhe vëllanë. Nana i tha që janë në Gjermani, e ai më tha: ‘Jo nuk janë në Gjermani, por kanë shkuar në luftë’”, tregon Vasfija, e cila aktualisht jeton në Teksas të Shteteve të Bashkuara.
“Ai hyri brenda dhe më pastaj më mori mua, më tha se do të shkojmë për të dhënë deklaratë në polici…Nuk doja të shkoja, por ai më kapi dhe më futi në një makinë 101-sh të kaltër”, rrëfen ajo.
“Ai nuk vazhdoi drejtë ku është stacioni i Policisë, por ka vazhduar në drejtim të Prishtinës. Unë e dija, por se kuptoja se çfarë do të ndodhë me mua sepse unë kam qenë fëmijë, 16-vjeç. Ka ardhur në fshatin Babimovc tek një kishë aty; fshati ka pasur shumë serb”, vijon rrëfimin 36-vjeçarja.
“Në atë moment unë vetëm doja të vdisja me një plumb edhe kurgjo tjetër. Veç me më vra”, shprehet Krasniqi.
Vasfija thoshte se polici serb i kishte thënë se nuk do ta vriste për një arsye të vetme: që të vuante më shumë.
“E ka ndal kerrin dhe më ka detyruar me dalë prej kerrit dhe aty kishte patur kallamoq. Më ka gjuajtur aty dhe çfarë ka ndodhur pastaj nuk mundesh me marrë me mend. E ka pasur dorën e majtë të lidhun edhe thojke: ‘Nuk të vras sepse kështu hjekë më shumë”, shprehet ajo.
Por, tmerri i asaj dite për Vasfijën nuk ishte ndalur me kaq. Ajo shprehet se ishte dhunuar seksualisht edhe nga një tjetër person, që ishte veshur me rroba civile.
“Pastaj është kthyer në makinë dhe ka ardhur një tjetër; ai nuk ka qenë me rroba të policisë, por me rroba civile. Më ka dërguar në një shtëpi tjetër afër shitores së fshatit Babimovc. Kur është kthyer ky i vjetri prapë në makinë, ka kaluar një ushtar aty pranë. I kam thënë që unë dua vetëm të shkojë në shtëpi. Ai më ka thanë: ‘Mos trego ku je kanë, thuaju në shtëpi se ke qenë me dhënë deklaratë në polici’. Më ka thanë që nëse u tregon familjarëve ne kemi me të vra”, rrëfen Vasfije Krasniqi-Goodman.
Ndryshe, 36-vjeçarja, tanimë jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është nënë e dy fëmijëve.