Fjalë Kyçe

Paralajmërohet bojkotimi i marketeve edhe në Kosovë

Paralajmërohet bojkotimi i marketeve edhe në Kosovë

Është paralajmëruar edhe në Kosovë bashkëngjitja në fushatën që filloi në Kroaci për t’i bojkotuar marketet që abuzojnë me çmimet. Drejtuesi i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, tha se veprimet do të ndërmerren menjëherë pas zgjedhjeve nacionale, nëse deri atëherë nuk reflektojnë bizneset.
Përfaqësues të konsumatorëve paralajmëruan se edhe në Kosovë do ta nisin fushatën që filloi në Kroaci dhe u përhap në vendet e tjera të rajonit, për bojkotimin e dyqaneve të mëdha që abuzojnë me çmimet.

Drejtuesi i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, tha se veprimet do të ndërmerren menjëherë pas zgjedhjeve nacionale, nëse deri atëherë nuk reflektojnë bizneset.

“Deri me datën 9, odat ekonomike, bizneset qofshin ato prodhuese, shërbyese ose tregtare, shoqatat e në veçanti shoqata e shitje me shumicë dhe pakicë, të gjitha të reflektojnë deri me datën 10 shkurt dhe e kanë afatin që të prononcohen, që të deklarohen ose të paktën të ofrohen për bisedë. Nëse nuk do të ketë lëvizje deri me 10 shkurt, atëherë pas 10 shkurtit shihemi tek sheshi “Nëna Terezë”, te sheshi “Ibrahim Rugova” dhe te sheshi “Zahir Pajaziti”, tha ai.

Nisma për bojkot, nisi në Kroaci më 24 janar, dhe është shpërndarë në Slloveni, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi.

Qytetarë në Prishtinë shtruan nevojën për masa, me qëllim që të ulen çmimet.

“Me të vërtet ka luajtje të çmimeve sipas pronarëve të marketeve. Kështu që duhet me qenë një tavan i çmimeve, me qenë në nivel në të gjitha marketet, se prej një marketi në marketin tjetër ka ndryshime të çmimeve”, është shprehur Arif Arifi.

“Vetë duhet të vetëdijesohemi që të refuzojmë edhe marketet edhe të gjitha institucionet aty ku preket xhepi i qytetarit pa të drejtë”, tha Musli Xhemajli.

Por, aktivisti i shoqërisë civile, Bekim Krasniqi, tha se në Kosovë ka mungesë të aktivizmit qytetar.

“Nëse bisedon individualisht me qytetarë ata shprehin pakënaqësi ndaj çdo ngritje, për shembull çmimeve e sidomos që vitin e kaluar ka pasur ngritje të çmimeve enorme, pastaj kemi ngritjen e energjisë elektrike, qytetari i shpreh këto pakënaqësi po në mënyrë individuale”, tha Krasniqi.

Periudha e inflacionit dyshifror nga viti 2020 deri më 2023 tani është e kaluar, por konsumatorët vazhdimisht janë ankuar për çmimet e larta e pagat e pamjaftueshme.