Fjalë Kyçe

Paralajmëron Interpoli: Mafia po përgatitet t’i grabisë, trafikojë dhe falsifikojë vaksinat

Paralajmëron Interpoli: Mafia po përgatitet t’i grabisë, trafikojë dhe falsifikojë vaksinat

Organizata ndërkombëtare policore, Interpol ka paralajmëruar se grupet mafioze dhe kriminale janë të përgatitura për grabitjen dhe trafikimin e dozave të vaksinave kundër koronavirusit në tregun e zi.

“Me shpërndarjen e vaksinave do të rritet në mënyrë drastike edhe kriminaliteti”, thotë drejtuesi i Interpol, Jurgen Stock, për mediat gjermane. “Do të shohim grabitje në magazina dhe sulme të ndryshme në operacionet e shpërndarjes së vaksinave. Korrupsioni do të jetë mbizotërues në shumë vende, që njerëzit ta marrin sa më shpejt këtë të mirë shumë të çmuar”.

Sipas Stock, përhapja e koronavirusit, i shfaqur fillimisht në Azi e më pas në të gjithë botën, është pasuar me një valë kriminaliteti, fenomen të cilin ai e konsideron si pandemi më vete.

“Grupet kriminale kanë menduar që nga minuti i parë i përhapjes se si të përfitojnë nga COVID-19. Në vend që të përfitojnë nga ilaçet, janë spostuar shumë shpejt në produkte false higjieno-sanitare, antiviralë dhe maska false”, thotë ai.

Stock shton se edhe tani, bandat kriminale kanë bërë gati doza false të cilat po i shesin në tregun e zi.