Paralajmëron Ahmeti, thotë se mund të mbyllen çerdhet dhe lokalet në Prishtinë
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka paralajmëruar se komuna të cilën e drejton nuk do të hezitojnë të mbyllin çerdhe e lokale të cilat mund të ndihmojnë në përhapjen e pandemisë Covid-19.
Ahmeti tutje deklaroi se nesër do të ritestohen fëmijët e çerdheve ku kanë vijuar dy fëmijët të cilët gjatë ditës së djeshme rezultuan pozitivë me koronavirus, ndërkaq tutje bëri thirrje për kujdes në mënyrë që të mos kthehet nevoja e shtimit të këtyre masave të kufizimit.
“Nuk kemi vend për panik, as për t’u kthyer në masat e mëhershme, por që do të jemi në anën kujdesit dhe nuk do të hezitojmë të mbyllim edhe çerdhe edhe lokale kur mendojmë se ato mund të jenë vatra të shpërndarjes së virusit. Deri më tani nuk mendojmë se ka nevojë për masa të tjera, thjesht po mundohemi ta kontrollojmë përhapjen e virusit. Por një gjë që duhet ta themi shumë herë, është fakti që rregullat që janë përcaktuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik nuk janë duke u respektuar në masë të madhe, përfshirë lokalet e gastronomisë të cilat kemi kërkuar që t’i respektojnë vendimet, rekomandimet dhe marrëveshjet që i kanë bërë me IKSHP-në”, tha ai.
Komuna e Prishtinës mbrëmë vendosi të mbyllë tri çerdhe si pasojë e infektimit me koronavirus të dy fëmijëve që ishin pjesë e tyre.
Ahmeti tha rastet e fundit në Prishtinë vijnë nga një person, babai i dy fëmijëve, i cili punon në një organizatë ku edhe ka pasur kontakte të shumta dhe mundësi të shpërndarjes së virusit.
I pari i Prishtinës tutje tha se po punohet për të mësuar kontaktet e tyre dhe kufizimin e shpërndarjes së virusit.
“Edhe pse nuk keni temperaturë, edhe pse nuk keni kollitje, mund të ndodhë që ju e keni virusin. Nëse nuk doni të na shkaktoni probleme siç ndodhi dje, që tash të testohen edhe 50 fëmijë të grupeve të ndryshme dhe mos t’i rrezikojmë të tjerët, do të ishte mirë që në momentin që jeni i dyshuar dhe keni pasur kontakte me njerëz të infektuar, ju duhet të izoloheni dhe të na kurseni nga testimet e panevojshme, duhet ta izoloheni dhe ta kontrollojmë situatën sa më shumë”, ka thënë Ahmeti.
Ahmeti tha se fëmijët që kanë qenë në grupin me dy të prekur me COVID-19 nuk do të vijojnë çerdhet, klasat e të cilave do të mbyllen për dy javë dhe gjithashtu, edukatoret nuk do të shkojnë në punë gjatë kësaj periudhe.
Nesër pritet testimi i fëmijëve të dy klasave në çerdhet e mbyllura, ndërsa çerdhja “Xixëllonjat” është mbyllur për shkak se burri i një edukatore ka dalë pozitiv dhe pritet rezultati i edukatores për të vendosur kur mund të hapet kjo çerdhe.