Fjalë Kyçe

Paraqitet në gjykatë kosovari në Zvicër që akuzohet se “bleu” gra nga Shqipëria për djemtë e tij

Paraqitet në gjykatë kosovari në Zvicër që akuzohet se “bleu” gra nga Shqipëria për djemtë e tij

Në Zvicër po mbahet seanca gjyqësore ndaj një kosovari 65-vjeçar dhe katër djemve të tij.

65-vjeçari akuzohet se nga viti 2003 për djemtë e tij ka sjellë në Zvicër katër gra nga Shqipëria të moshave nga 14 deri 17 vjet. Ndër familja akuzohet për “trafikimi me njerëz”, “dhunimi” e po ashtu “keqtrajtimi”.

Të martën ka dëshmuar kryefamiljari, Albrim F., që në Zvicër gjendet që nga viti 1998.

Ai ka mohuar akuzat, duke thënë se janë plotësisht false.

“Nuk i kam bërë keq asnjërës prej grave. Unë doja vetëm gjëra të mira për to”, thotë Albrim F. raporton Blick.

Ai madje gjatë seancës ka treguar se si kishte ndihmuar njërën nga gratë për ta nxjerrë vëllain nga burgu.

“Ajo qante dhe më tha se vëllai i saj është në burg dhe i duhen 800 franga. Unë i mora hua ato para dhe shkova polici dhe e nxora. Ja sa i fortë isha për këto gra dhe sa i mirë isha me to”, tha kosovari.

Ai është pyetur edhe se si mund të paguajë 20 mijë franga zvicerane për avokatë, ndonëse është me social. Ai ka thënë se 10 mijë ka mundësi të paguajë, e pjesën tjetër do ta paguajë me këste.

Ai nuk është përgjigjur në pyetjet pse një grua tjetër është paraqitur si bashkëshorte e tij, kur është vizituar në shtëpi. Dhe pse ajo grua është ende në Zvicër ndonëse nuk ka lejeqëndrimi.

Po ashtu nga prokurori i është bërë pyetje nëse gratë nga Shqipëria i ka joshur “me letra”.

Ai nuk e ka mohuar këtë.

“E kisha bërë si lloj pune, t’u sigurojë letrat grave”.

Ai pyetet pse u ka lëshuar letra false grave dhe nëse ndihet fajtor.

“Kjo ishte vetëm për lejeqëndrim për to. Në atë kohë, njerëzit nga Kosova lejoheshin, e refugjatët nga Shqipëria jo”, thotë Albrimi.

I akuzuari thotë se gratë nga Shqipëria kishin informata për çdo gjë.

“Unë nuk i rrëmbeva ato nga shtëpia e tyre në Shqipëri. Ato e dinin më mirë se unë dhe prapë u martuan”.

Gjatë seancës ai është pyetur po ashtu për një telefonatë që ka pasur me nënën e njërës prej grave.

Prokurori ka thënë se gjatë telefonatës gruas nga Shqipëria i ishte thënë se vajza e saj nuk po flinte me të birin e Albrimit.

“Ajo duhej të kishte marrëdhënie me të birin tim, përndryshe do të kthehej në shtëpi. Po kishte probleme, dhe u ankova te nëna e saj. Ajo u mundua ta motivonte vajzën e saj, është normale. Ne zbuluam në telefonin e gruas se ajo po komunikonte me një burrë tjetër. Duhej të dinim nëse do të mbetet me ne apo të shkojë te burri tjetër. Ekziston një thënie te ne, nuk mund të hashë me dy lugë. Kur komunikon me burrë tjetër, atëherë nuk është në rregull”, tha Albrimi.

Aktakuza është e përbërë prej 30 faqeve. Ndër akuzat në to thuhet se si Albrimi kishte rrahur njërën nga gratë e djemve të tij, ndonëse ajo ishte shtatzënë. Në një pikë tjetër thuhet se ai njërën prej grave e kishte blerë në Shqipëri për 300 euro.

*Blick ka ndryshuar emrat e të akuzuarve