Fjalë Kyçe

Parashihet shtimi i inspektorëve për vlerësim të performancës së mësimdhënësve

Parashihet shtimi i inspektorëve për vlerësim të performancës së mësimdhënësve

Ministria e Arsimit e ka prezantuar Draft-strategjinë për arsimin 2022 -2026, kostoja e të cilit është paraparë të jetë 322 milionë euro. Dokumenti strategjik, të cilin e ka prezantuar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, është orientuar në pesë fusha. Si hapa strategjikë, Nagavci ka përmendur edhe shtimin e numrit të inspektorëve, si dhe rritjen e numrit të asistentëve për fëmijë me aftësi të kufizuara.
Draft-strategjia për arsim për pesë vjet, përfshirë edhe vitin në të cilin jemi, tek tash ka dalë në konsultim publik.

Dokumenti strategjik për periudhën 2022 -2026, kostoja e të cilit është paraparë të jetë 322 milionë euro, është prezantuar nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Ajo ka thënë se në ngadalësimin e hartimit dhe në planifikimin për këtë strategji ka ndikuar pandemia COVID-19.

Ministrja Nagavci i ka prezantuar pesë fushat në të cilat do të orientohet Strategjia.

“Plani jonë strategjik është orientuar në pesë fusha, bazuar në qëllimet strategjike të Qeverisë, në arsimin cilësor, gjithëpërfshirës dhe të digjitalizuar, harmonizimi i arsimit dhe aftësimit profesional me kërkesat e tregut të punës, menaxhim efektiv i sistemit të arsimit në të gjitha nivelet, arsim i lartë me cilësi dhe integritet në harmoni me standardet ndërkombëtare dhe përmirësim i mjedisit për kërkimet dhe inovacion”, ka thënë Nagavci.

Derisa ka folur për objektivin për rritje të përfshirjes dhe qasje të barabartë në edukimin në fëmijërinë e hershme, që përfshin moshën 0-6 vjeç, Nagavci ka thënë se për këtë duhet infrastrukturë, si dhe staf shtesë.

Si hapa strategjikë, ajo ka përmendur edhe shtimin e numrit të inspektorëve, si dhe rritjen e numrit të asistentëve për fëmijë me aftësi të kufizuara.

“Në kuadër të objektivit strategjik 2, që ka të bëjë edhe më përmirësimin e cilësisë, është shtimi i numrit të inspektorëve të arsimit dhe rritja e kapaciteteve të asistentëve për të përkrahur nxënësit me aftësi të kufizuara”, ka deklaruar Nagavci.

Ka thënë se për 5 vjet do të kenë 60 inspektorë të rinj, të cilët do të ndihmojnë edhe në vlerësimin e performancës së mësimdhënësve.

Draft-strategjia do të jetë në diskutim publik deri më 8 korrik, në faqen e konsultimeve publike, ku mund të dërgohen komente dhe sugjerime.