Fjalë Kyçe

Paratë e buxhetit Qeveria po ia jep oligarkëve

Paratë e buxhetit Qeveria po ia jep oligarkëve

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka thënë se me Ligjin për rimëkëmbje më shumë janë ndihmuar biznesmenët sesa qytetarët. Ai ka thënë se sa më shumë të shpenzohet në asfalt e tenderë, aq më pak do të mbetet buxhet për qytetarët.

“Buxheti dhe paratë nuk janë të pafundme. Shumën prej 60 milionë eurosh që e kanë shpenzuar në vend se të ndihmohen shtresat më të prekura, ai tashmë ka shkuar dhe nuk e ka Qeveria në dispozicion. Sa më shumë që shpenzon kësisoj, sa më shumë që shpenzon në tenderë dhe asfalt, do të ketë më pak para t’u ndihmohet qytetarëve. Kemi parë ditë pas dite që kjo Qeveri i ka orientuar shpenzimet e buxhetit tjetërkah”, ka thënë ai.

Ndërkaq për amendamentet e AAK-së ai ka thënë se kanë pasur për qëllim favorizimin e një biznesmeni të një kompanie. “Edhe me Ligj të rimëkëmbjes, krejt çfarë del është se qytetarëve iu thuhet merreni 10 përqindëshin nga kursimet pensionale kurse ne miliarderëve po u ndihmojmë me para të buxhetit. Pra, paratë e buxhetit oligarkëve, paratë e trustit merreni qytetarët”, ka thënë ai.

Deputeti Hekuran Murati ka thënë se shtimi i kapacitetit garantues të Fondit për Garantimin e Kredive ka qenë i mundur të bëhet edhe pa kalimin e këtij ligji.

“Për shkak se është miratuar kredia të cilën ne e kemi mbështetë si Lëvizje Vetëvendosje sepse është dashtë dhe realisht pa mbështetjen tonë s’ka mundur të kalojë, janë dashtë dy të tretat, pra janë bërë 80 vota që të kalojë si marrëveshje ndërkombëtare. Pra, është mbështetje, kredi nga Banka Botërore në vlerë prej 25 milionë dollarë e cila i jepet si kapital fondit, e pastaj me atë kapital mund të marrin përsipër rrezikun e garantimit të kredive që i lëshojnë bankat”, ka thënë Murati. “(202 milionë) është shuma potenciale që mund të lëshohen kredi në sistemin bankar duke i garantuar Fondi”.

Por, sipas tij kjo është dashur të bëhej më herët. “Ne e kemi miratuar atë kredi. Por, kjo është dashur të bëhej më herët, por tjetër gjë që Qeveria po pret edhe po i zvarritë duke kushtëzuar e duke thënë se na duhet edhe ky ligj edhe ai ligj. Mjetet kanë qenë në dispozicion të Qeverisë për me ia transferuar Fondit”, ka thënë Murati.