Parlamenti ukrainas miratoi sot një rezolutë që i cilëson veprimet e ushtrisë ruse në Ukrainë si gjenocid dhe u bën thirrje shteteve dhe organizatave joqeveritare të bëjnë të njëjtën gjë.
“Veprimet e Rusisë synojnë të zhdukin në mënyrë sistematike dhe koherente popullin ukrainas, t’i privojnë ata nga e drejta për vetëvendosje dhe zhvillim të pavarur”, thuhet në tekst, i cili u pranua me një shumicë prej 363 votash në parlamentin prej 450 anëtarësh.
“Prandaj, është e nevojshme që menjëherë të njihen veprimet e kryera nga forcat e armatosura ruse gjatë agresionit që filloi më 24 shkurt 2022 si gjenocid kundër popullit ukrainas”, thuhet në tekst.
Teksti i rezolutës u bën thirrje gjithashtu Kombeve të Bashkuara, Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Parlamentit Evropian, Asamblesë Parlamentare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe NATO-s, si dhe qeverive dhe parlamenteve përreth bota të shpallë gjenocid kundër popullit të Ukrainës.
Presidenti i SHBA Joe Biden dhe disa liderë të tjerë të huaj kanë akuzuar presidentin rus, Vladimir Putin për kryerjen e gjenocidit në Ukrainë, gjë që Kievi zyrtar e mirëpriti, por deklarata të tilla, sipas disa avokatëve, rrjedhin më shumë nga retorika politike sesa nga fakte të vërtetuara ligjërisht, përcjell telegrafi.
“Fjala gjenocid ka një përkufizim të saktë ligjor, megjithatë, ajo përdoret gjerësisht nga liderët politikë dhe aktivistët për shkak të fuqisë së saj për të nxitur debatin dhe për të ndezur opinionin publik,” tha William Schabas, një profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin Middlesex në Londër.
Ndryshe, presidenti francez Emmanuel Macron shpjegoi vendimin për të mos e shqiptuar fjalën gjenocid sepse beson se “përshkallëzimi verbal nuk do ta ndihmojë Ukrainën dhe madje mund ta tërheqë Perëndimin në luftë”.
Kancelari gjerman Olaf Scholz gjithashtu refuzoi të shqiptojë termin gjenocid dhe në vend të kësaj foli për krime lufte.