Fjalë Kyçe

Partitë fshehin financimet që kanë pranuar nga bizneset

Partitë fshehin financimet që kanë pranuar nga bizneset

Partitë politike po bëhen gati t’i hyjnë procesit të ri zgjedhor pa i kryer obligimet ligjore nga zgjedhjet e kaluara rreth bizneseve nga të cilat financohen.

Fshehjen e burimeve të financimit nga shumica e partive shoqëria civile e vlerëson si rrezik për nxitje të aferave korruptuese.

Partitë politike, të cilat marrin donacione nga bizneset, sipas organizatës “Çohu”, përkujdesen që kur të vijnë në pushtet t’ua kthejnë atyre favoret përmes dhënies së tenderëve.

“Vetëm në periudhën 2007/2014 kur e kemi realizuar një hulumtim të tillë të fokusuar në ministrinë e Transportit dhe atë Arsimit kemi vërejtur se 220 milionë euro janë ndarë përmes tenderëve ndaj financuesve të partive politike, kryesisht ato që merren me ndërtime dhe kjo është e dëmshme sepse kemi të bëjmë me një llogari të dobët”, ka thënë Besnik Boletini, hulumtues në organizatën “Çohu”.

Transparenca, sipas kësaj organizate, arrihet përmes deklarimit të të hyrave dhe pastaj auditimit të tyre.

Por procesi i fundit i auditimit është bërë para katër vjetësh. Raportet e tilla mungojnë edhe për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2019, pasi Parlamenti dështoi të zgjedhë auditorin e ri.

Ndërsa Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) u ka bërë thirrje partive politike që t’i bëjnë publike shpenzimet e tyre gjatë fushatës për zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Partitë politike duhet të publikojnë listën e të gjithë donatorëve dhe shumat e dhuruara për aktivitetet e tyre në mënyrë që të parandalohen aferat e mundshme korruptive në mes të partive politike dhe donatorëve të tyre, sidomos gjatë procesit të tenderimit publik”, ka deklaruar Lirika Agusholli nga GLSP-ja.

Mungesa e transparencës në financimin e partive politike është kritikuar vazhdimisht në Raportet e Progresit të Bashkimit Evropian për Kosovën.

Ligji për financimin e këtyre subjekteve përcakton një model të caktuar të financimit, kategoritë e mundshme të financimit dhe parasheh edhe masa disiplinore kundrejt mungesës së transparencës.

Por në të njëjtën kohë, sipas shoqërisë civile, ai mbetet ndër ligjet më të pazbatuara në nivel vendi.