Fjalë Kyçe

Partitë nuk bëjnë publike shpenzimet për fushatën

Partitë nuk bëjnë publike shpenzimet për fushatën

Të papenguara subjektet politike po vazhdojnë parafushatën, duke e shfrytëzuar vakumin ligjor i cili pamundëson sanksione për këto aktivitete. Mbështetur në planin operacional të Komisionit Qendror Zgjedhor, zyrtarisht fushata nis prej 3 dhe vazhdon deri më 12 shkurt. Por partitë qe disa javë kanë filluar aktivitetet e tyre.

Përfaqësues të shoqërisë civile thonë se partive po iu konvenon situata kur nuk japin llogari për shpenzimet e parafushatës.

“Ka mungesë të madhe të transparencës nga partitë politike në të gjitha fushat. Njëra prej fushave në të cilën kemi avokuar mjaft shumë janë edhe financat e subjekteve politike që të bëhen transparente. Kjo çështje është mjaft e komplikuar duke pasur parasysh se partitë politike nuk i deklarojnë financat e tyre të cilat i bëjnë gjatë fushatës”, ka thënë Allen Meta nga Instituti “Demokraci për Zhvillim” (D4D).

D4D në bashkëpunim me organizatat e tjera është në përpilim të disa propozimeve i cili do t’i fuqizonte disa institucione të caktuara dhe do t’i obligonte subjektet politike që t’i deklarojnë të gjitha shpenzimet.

Subjektet që përbëjnë koalicionin i kanë vënë në shërbim të fushatës edhe vendimet e Qeverisë. Ato kanë rritur dozën e premtimeve e aktiviteteve ku përurohen projekte në kohën e parafushatës. Janë prezantuar edhe strategji e projektligje në kohën kur mungon Kuvendi për t’i miratuar ato.

Në lidhje me shpenzimet e para fushatës, KOHA ka adresuar pyetje tek Lidhja Demokratike, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike, por ka munguar përgjigjja.

Dënimet e vetme të shqiptuara për partitë në këtë periudhë janë nga komunat, për shkak të shkeljes së masave anti-COVID. Pjesë e shkeljes u bë edhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili ishte pjesë e një tubimi me të rinjtë e Deçanit, i cili madje kishte shpërndarë fotografinë në rrjete sociale.

“Kur e analizojmë situatën në këtë kohë partitë po e rrezikojnë edhe jetën e qytetarëve. Përpos që po organizojnë edhe parafushatë, e cila në bazë të legjislacionit në fuqi nuk mund të mbikëqyret nga askush, dhe si të tilla nuk dihet as shpenzimet se ku po shkojnë – ato nuk po i respektojnë as masat anti-Covid”, ka theksuar Allen Meta.

Ai është pjesë e koalicionit të organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” (DnV), e cila të shtunën ka shpalosur planin për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit. ndërsa është folur edhe për certifikimin e listave zgjedhore.

Ismet Kryeziu (KDI) nga ky koalicion ka thënë se partitë thyen rregullat e anti-COVID me tubimet që kanë filluar t’i mbajnë ende pa filluar fushata zyrtarisht.

“Partitë në mungesë të një reforme zgjedhore kanë filluar fushatën pa nisur ajo zyrtarisht. Gjatë këtij procesi partitë kanë thyer rregullat e institucioneve në raport me COVID-19. Kemi numër të rritur të pacientëve, takimet me numër të madh njerëzish mund të jenë arsye për rritjen e numrit të pacientëve. Bëjmë thirrje që partitë t’i bëjnë publike financat. Shpenzimet duhet të jenë në raport me vendimet e KQZ-së”, ka thënë ai.

Sipas Ligjit për Zgjedhje, asnjë subjekt politik i certifikuar nuk mund të bëjë tejkalime të shpenzimeve mbi shumën që do të caktohet nga rregulla e KQZ-së.

Me vendimin e datës 19 janar, KQZ-ja ka përcaktuar lartësinë e mjeteve nga Fondi për financimin e subjekteve dhe mbështetjen e punës së secilit deputet nga legjislatura e kaluar për muajt janar dhe shkurt, në shumën prej 700 mijë eurosh.

Shuma për Vetëvendosjen është 152 mijë e 250 euro, kurse për aktivitetet e deputetëve rreth 17 mijë euro. Ky subjekt së fundi ka kërkuar mbështetje financiare edhe nga qytetarët.

“Si subjekti më transparent në Kosovë, ne e kemi pasur një mbështetje financiare në rritje, e cila është përkthyer edhe në rezultat më të mirë elektoral. Ne nuk pranojmë financime nga persona apo biznese të dyshimta. Nuk pranojmë shuma të mëdha. Fuqia jonë bazohet në ndihmat e vogla, që na i jepni shumë prej jush”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Lidhja Demokratike si subjekt do t’i përfitojë 147 mijë euro, kurse për deputetë mbi 16 mijë euro. Ndërkaq Partisë Demokratike i janë ndarë 126 mijë euro.

Maksimumi i shpenzimeve të fushatës përcaktohet në përputhje me numrin e përgjithshëm të votuesve të regjistruar në listën e fundit të freskuar. Megjithatë, ky kufizim financiar vlen vetëm për periudhën zyrtare të fushatës zgjedhore.

Mungesa e transparencës sa u përket shpenzimeve të partive është theksuar edhe në raportet e Komisionit Evropian për Kosovën. Aty thuhet se financimi i subjekteve politike dhe i fushatës nuk është transparent, përderisa rregullativa ligjore nuk është adekuate. Ajo nuk garanton raportim të plotë dhe në kohë, mbikëqyrje efektive dhe as llogaridhënie lidhur me parregullsitë eventuale që mund t’i kenë këto raporte.