Procesi zgjedhor i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit, është vlerësuar si proces i organizuar mirë dhe me transparencë, mirëpo partitë politike garuese janë gjobitur nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), me rreth 360 mijë euro për shkelje të këtij procesi, shkruan Gazeta Metro.
Kryesuesi i Sekretariatit të PZAP, Mul Desku, ka thënë për Radio Evropa e Lirë, se deri në ditën e zgjedhjeve janë gjobitur 13 subjekte politike.
“Deri më tani, sa i përket ankesave për fazën e para fillimit të fushatës zyrtare të zgjedhjeve, për fushatën zgjedhore, për heshtjen zgjedhore dhe për ditën e zgjedhjeve, janë paraqitur apo PZAP-i ka pranuar 269 ankesa gjithsej. Ndërsa shumë totale e gjobave të shqiptuara ndaj të gjitha subjekteve politike, për të gjitha ankesat që i theksova më lart–me përjashtim për ditën e zgjedhjeve, që ende nuk janë shqyrtuar ankesat që kanë arritur dhe janë dorëzuar dje në PZAP – është 359 mijë e 550 euro. Në këto gjoba përfshihet gjobitja e 13 subjekteve politike”, ka thënë Desku.
Partitë që të cilat janë pjesë e këtij dënimi janë: Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, Lista Serbe, koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate, koalicioni Nisma, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë, Partia e Romëve të Bashkuar të Kosovës, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Pavarur Liberale, Partia Liberale Egjiptiane, Vakat, Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe Lëvizja për Gorën.
Arsyet e gjobitjes spas Deskut janë përdorimi I rrjeteve sociale, porositë me SMS, thirrjet përmes telefonave për të votuar për subjektin apo kandidatin e caktuar, thirrjet për votim në Facebook, transmetimi i spotit politik publicitar, përdorimi i fotove në rrjete sociale gjatë heshtjes zgjedhore dhe arsye të tjera të ngjajshme.
Në anën tjetër, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, e cila është pjesë e rrjetit të organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim, që ka mbikëqyrur procesin zgjedhor, thotë se në një pjesë të aktiviteteve të subjekteve politike, gjatë fushatës, ka pasur shkelje të Ligjit për zgjedhje apo të rregullës zgjedhore.
“Ndër shkeljet më të shpeshta, për të cilat ne si Demokraci në Veprim kemi dërguar edhe ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, kanë qenë në lidhje me vendosjen e panove apo materialeve propaganduese në hapësira të palejuara. Ajo çfarë ka rënë në sy në këtë fushatë është gjuha e urrejtjes, e cila është përdorur në masë të madhe nga ana e partive politike, sidomos gjuha e urrejtjes mbi baza politike. Po ashtu, kemi pasur raste të përdorimit të resurseve publike, më saktë, të veturave zyrtare, në veçanti nga ana e subjekteve politike, të cilat kanë qenë në pushtet në nivelin qendror dhe të atyre në nivelin lokal”, ka përfunduar Cakolli.
Sipas tij, një nga rastet e përdorimit të gjuhës së urrejtjes, por me baza etnike, ka qenë nga Lista Serbe, e cila përmes një video-klipi ka përçuar mesazhe, të cilat janë interpretuar si sfiduese ndaj kushtetutshmërisë së zgjedhjeve.
Në ditën e votimeve, siç tha Cakolli, procesi është zhvilluar në përputhje me standardet ligjore, por megjithatë, ka pasur disa raste të evidentuara të parregullsive, disa prej të cilave kanë qenë të natyrës penale dhe në disa raste shkelje procedurale nga komisionarët apo nga vet votuesit.
Zgjedhjet e parakohshme nacionale janë mbajtur të dielën e 6 tetorit, në të cilat fituese doli Lëvizja Vetëvendosje me Albin Kurtin si kandidaturën për kryeministër.