Altik Muhaxhiri ia ka komunikuar Vëllaznimit vendimin për t’u larguar nga klubi.
Ai këtë gjë e bëri të ditur në mbledhjen emergjente të klubit pas sfidës së barazhit ndaj Trepçës ‘89.
Muhaxhiri nuk ka mundur të durojë presionin e madh të opinionit sportiv në Gjakovë, që e kanë akuzuar për kurdisje të ndeshjes.
“Unë e kam vendosur, nuk vi më”, kanë qenë fjalët e Muhaxhirit, tregojnë burime të gazetës pranë klubit kuqezi.
Lajmi është konfirmuar edhe nga menaxheri gjeneral, Besnik Gojani.
“Altiku e ka marrë një vendim që të mos vijë më në klub, madje tha edhe që do ta lë futbollin, por mendoj që ishte deklaratë e ngutshme e tij”, deklaroi Gojani për Gazetën Olle.
Ai beson fuqishëm në pafajësinë e Muhaxhirit.
“Unë besoj shumë që ai nuk ka faj”, shtoi Gojani.
Muhaxhiri prej vitesh është lojtari më besnik i Vëllaznimit.
Pos një sezoni te Liria, ai i ka kushtuar gjithë karrierën klubit të fëmijërisë.