Fjalë Kyçe

Pas arrestimit të 2 personave për rrëmbim, zbardhet dhuna e mëhershme ndaj 18-vjeçares

Pas arrestimit të 2 personave për rrëmbim, zbardhet dhuna e mëhershme ndaj 18-vjeçares

Arrestimi i dy personave për rrëmbimin e një 18-vjeçareje në Mitrovicë të premten në mbrëmje, ka nxjerrë në pah dyshimet për krim të mëhershëm ndaj viktimës.

Policia e Kosovës ka njoftuar se të shtunën ka arrestuar H.M. 20-vjeçar dhe G.B. 21-vjeçar, bazuar në dyshimet e arsyeshme dhe provat e siguruara, se kishin rrëmbyer një 18-vjeçare në Mitrovicë dhe me forcë e kishin futur në veturë, duke ushtruar dhunë në forma të ndryshme e duke i shkaktuar lëndime trupore viktimës. Asaj më pas i është ofruar trajtim i nevojshëm mjekësor.

Sipas njoftimit, bazuar në deklaratën shtesë të viktimës është zbuluar se ajo muaj më parë kishte qenë viktimë e dhunimit nga i dyshuari B.M. 34-vjeçar, për të cilën vepër s’kishte raportuar më herët.

Policia ka njoftuar po ashtu se pas bastisjeve në dy lokacione ka gjetur dëshmi materiale që ndërlidhen me veprat penale dhe dy të arrestuarit e parë po hetohen për veprën penale të “rrëmbimit”, ndërsa B.M. për “dhunim”.

Të treve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.