Pas binjakëzimit të basketbollit kosovar dhe atij shqiptar është një tjetër sport që ka ndjekur rrugën e tyre.
Bëhet fjalë për volejbollin ku dy federatat përkatëse nga dy shtetet kanë arritur marrëveshje për krijimin e një “Superkupe Mbarëkombëtare”, transmeton Klan Kosova.
Konfirmimi për këtë ka ardhur nga Federata e Shqipërisë, por edhe e Kosovës në volejboll.
“Pas një takimi informal, të mbajtur të martën në mbrëmje në Durrës, drejtuesit e Federatës Shqiptare të Volejbollit dhe ata të Federatës së Volejbollit të Kosovës, kanë finalizuar hollësitë e marrëveshjes së arritur në shkurt të këtij viti, për organizimin e Superkupës Mbarëkombëtare të Volejbollit”.
“Kjo Superkupë do të organizohet si midis kampiones së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës si për femra, ashtu edhe meshkuj, por edhe midis fitueses së Kupës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, për të dyja gjinitë. Kjo Superkupë Mbarëkombëtare do të zhvillohet në hapësirat midis fazave të kampionateve përkatëse, ndërsa datat e sakta do të zyrtarizohen në javët në vijim”.