Fjalë Kyçe

Pas dënimit / Miliarderët që po mbështesin Donald Trumpin

Pas dënimit / Miliarderët që po mbështesin Donald Trumpin

Donatorët super të pasur republikanë po mblidhen në mbështetje të ish-presidentit amerikan Donald Trump, pas gjyqit të tij historik dhe dënimit penal.

Trump, kandidati republikan për zgjedhjet e këtij nëntori në Shtëpinë e Bardhë, u shpall fajtor për falsifikimin e të dhënave të biznesit, për të fshehur paratë që kish paguar në këmbim të heshtjes së ish-yllit të filmave për të rritur, Stormy Daniels.

Teksa kishte mbetur pas Joe Biden dhe përpjekjeve të demokratëve për mbledhjen e fondeve, dënimi i dha jetë ofertës së tij elektorale – ekipi i fushatës së tij njoftoi se mblodhi gati 53 milion dollarë në vetëm 24 orë pas vendimit.

Miliarderja izraelito-amerikane e kazinove Miriam Adelson pritet të shpallë një dhurim prej disa milionë dollarësh për fushatën e Trump këtë javë.

Sipas raporteve të mediave amerikane, zonja Adelson do t’i dhurojë një komiteti për veprim politik të quajtur Ruaj Amerikën. Komitetet e veprimit politik mund të shpenzojnë shuma të pakufizuara parash, për të mbështetur kandidatët për postin e presidentit.

Ndërsa është e paqartë se sa planifikon të shpenzojë, Politico dhe media të tjera amerikane kanë raportuar se kontributi pritet të tejkalojë donacionin prej 90 milionë dollarësh për Ruaj Amerikën, që zonja Adelson dhe bashkëshorti i saj i ndjerë, Sheldon, dhuruan përpara zgjedhjeve të vitit 2020.

Të tjerët ka të ngjarë të ndjekin shembullin e saj. Në orët pas vendimit të gjykatës javën e kaluar, një numër miliarderësh postuan mesazhe mbështetjeje për Trumpin.

Midis tyre ishte investitori i Silicon Valley, David Sacks, i cili postoi në X, se “tani ka vetëm një çështje në këto zgjedhje: nëse populli amerikan do të votojë që SHBA të bëhet një Republikë Bananesh”.

Më 6 qershor, Sacks dhe investitori tjetër Chamath Palihapitiya, po planifikojnë të organizojnë një mbledhje fondesh për Trumpin në San Francisko. Pjesëmarrësve thuhet se u kërkohet të kontribuojnë deri në 300,000 dollarë.

Një donator tjetër i mundshëm, menaxheri i fondit të mbrojtjes Bill Ackman, pritet të bëjë një njoftim në X në ditët në vijim, për mbështetjen e Trump.

Ndërsa tre vjet më parë Ackman tha se Trump “duhet t’u kërkojë falje të gjithë amerikanëve” pas trazirave në Kongresin e SHBA, financuesi që atëherë ka zbutur tonet dhe i ka ofruar fjalë mbështetjeje ish-presidentit në internet.

CEO i Blackstone Group, Steve SchVarzman – një nga miliarderët më të mëdhenj amerikanë – ka njoftuar tashmë se do të mbështesë Trumpin në zgjedhje.

Ashtu si Ackman, Schvarzman ishte distancuar më parë nga ish-presidenti.

Por në fund të majit, Schvarzman tha se ai ndante “shqetësimin e shumicës së amerikanëve se politikat tona ekonomike, imigracioni dhe politika e jashtme po e çojnë vendin në drejtimin e gabuar”.

Ai tha gjithashtu se “rritja dramatike e antisemitizmit më ka bërë të fokusohem në pasojat e zgjedhjeve të ardhshme”.

Miliarderë të tjerë të spikatur, që kanë dhënë mbështetjen e tyre për Trumpin deri më tani, përfshijnë themeluesit e fondeve mbrojtëse John Paulson dhe Robert Mercer.

Investitori miliarder Nelson Peltz – i cili tha pas trazirave të Kongresit se i vinte keq që votoi për Trumpin në 2020 – ka ndryshuar mendje dhe e ka pritur ish-presidentin në rezidencën e tij buzë oqeanit në Florida në mars.

Elon Musk, nga ana tjetër, ka thënë më parë se nuk do t’i dhurojë asnjërit kandidat në këtë cikël elektoral, megjithëse planifikon të organizojë një aktivitet me Trumpin.

Po kështu, miliarderi i teknologjisë dhe donatori i shquar republikan Peter Thiel thuhet se ka refuzuar kërkesat për të dhuruar për fushatën e Trumpit dhe është thënë se nuk po planifikon asnjë kontribut këto zgjedhje.

Shaun Maguire, një partner në firmën e shquar të kapitalit të sipërmarrjes Sequoia, njoftoi një donacion prej 300,000 dollarësh për Trumpin brenda disa minutave nga verdikti i javës së kaluar, duke argumentuar se gjyqi ishte i padrejtë.

Në një postim të gjatë në X, Maguire përshkroi një sërë arsyesh për mbështetjen që i jep Trumpit, duke përfshirë trajtimin që administrata Biden i bëri tërheqjes së SHBA nga Afganistani dhe “dobësinë” në Lindjen e Mesme.

Çështjet e ndryshme ligjore kundër Trumpit, shtoi Maguire, shërbyen gjithashtu si një “përvojë radikalizuese”.

“Ka një shans të vërtetë që Presidenti Trump të dënohet për akuza të krimit dhe të dënohet me burg,” shkroi ai. “Kjo është një pjesë e arsyes pse unë po e mbështes atë. Unë besoj se sistemi ynë i drejtësisë është duke u armatosur kundër tij.”

Deri më sot, fushata e Bidenit e ka tejkaluar kryesisht fushatën e Trumpit për sa i përket mbledhjes së fondeve.

Deri në fund të prillit, ajo kishte një vlerë rekord prej 192 milionë dollarësh, krahasuar me 93.1 milionë dollarë të fushatës së Trumpit.

Megjithatë, në të njëjtin muaj, fushata e Trumpit mblodhi 76 milionë dollarë, duke tejkaluar rivalët e tyre demokratë për herë të parë në këtë cikël zgjedhor. Fushata e Biden-it mblodhi 51 milionë dollarë në prill, dukshëm më pak nga 90 milionë dollarët e mbledhura një muaj më parë.

Por pavarësisht nga të gjitha mbledhjet e fondeve, profesori Justin Buchler, një ekspert i financave të fushatës nga Universiteti Case Uestern Reserve në Ohio, i tha BBC-së: “Paratë nuk do të jenë përcaktuese. Roli kryesor i parave në një fushatë është rritja e njohjes së emrit. Të gjithë tashmë e dinë se kush janë Donald Trump dhe Joe Biden.”

Një rishikim i të dhënave nga CBS, partneri i BBC-së në SHBA, ka zbuluar se mbledhja e fondeve të Trumpit priret të gëzojë një shtytje gjatë momenteve kyçe në betejat e tij të ndryshme ligjore.

Para dënimit të javës së kaluar, ditët e tij më të mira për mbledhjen e fondeve ishin 4 prilli i vitit të kaluar – dita e dënimit në Nju Jork – si dhe 25 gushti, kur u publikua një fotografi e tij e bërë në Xhorxhia. / bbc – bota.al