Deputeti i LDK-së dhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Anton Quni, pjesëmarrës në Betejën për thyrjen e kufirit Kosovë-Shqipëri në vitin 1999, ka komentuar se kush është trashtar i atdheut në ditët e sotme. Nuk dihet se cili është shkas i këtij komenti të tij, por kjo vjen në kohën kur ka nisur të veprojë Gjykata Speciale.
Ky është postimi i plotë i qunit:
Tradhti është:
Ta dërgosh ushtarin në luftë me pushkë bosh, të paushqyer dhe të pastërvitur.
Ta drejtosh pushkën në vëllain tënd.
Të përfitosh pasuri nga paratë e mbledhura për ushqim, municion dhe fasha për të plagosurit.
T’i japësh urdhër ushtarit “përpara”, e ti t’ia mbathësh vrapit.
Ta çarmatosësh luftëtarin pas lufte dhe ta hedhësh në rrugë.
Të sajosh historinë se ti je shpëtimtari i kombit e të tjerët janë tradhtar.
T’ua mbyllësh gojën atyre që flasin të vërtetën.
Ta përbuzësh mësuesin, letrarin, mjekun, minatorin, studentin…. se ti je “luftëtari”.
Ta rrënosh shtetin sa herë që t’i frikësohesh gjykimit.
Ta mbash popullin në frikë duke shpifur armiqtë brenda tij.
Ta mbulosh tradhtinë me tradhti!