Kryetari i URA-s, Dritan Abazoviq ka shpallur fitoren e koalicionit “Për një fillim të ri” në zgjedhjet lokale për qytetin e Ulqinit.
Mandatari për të krijuar qeverinë e re të Malit të Zi, ka konfirmuar fitoren e koalicionit të përbërë nga URA, Social Demokratët e Malit të Zi, Partia Socialdemokrate, Alternativa Shqiptare dhe Partia Demokratike.
“Ulqini ka një kryetar të ri dhe quhet Omer Barjkatari. Ashtu siç kishim paralajmëruar, lista jonë është dy herë më e fortë se e vendit të dytë”, tha Abazoviq.
Ai tha se ulqinakët kësaj radhe nuk kanë pasur dilemë “Unë mendoj se duhet t’i drejtohemi qytetit, do të kemi një administratë të re të qytetit. Ky është një fillim i ri për qytetin, një rrugë drejt pajtimit dhe përparimit”.
Abazoviq më tutje deklaroi se “Dora jonë është e shtrirë për të gjithë. Le të bëjmë gjëra të mira për qytetin, le të fillojmë rrugën e suksesit”.
Ndërkohë, Bajraktari tha se të hënën do të ketë bisedime me partnerët e ardhshëm të koalicionit, transmeton telegrafi.
“Jemi krenarë me fushatën. Lista jonë ka qenë pajtuese dhe ky është një fillim i ri për Ulqinin tonë”, ka thënë Bajraktari.
Ndryshe, koalicioni “Për një fillim të ri” ka fituar 15 mandate ndërsa DPS dhe BS 6 mandate, DUA dhe Forca nga 5 mandate ndërsa Demokratët 2 mandate.