Publicisti dhe analisti Faton Abdullahu, ka deklaruar se më normale do të ishte dështimi i koalicionit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, sesa arritja e marrëveshjes.
Abdullahu po thotë se mes VV’së dhe LDK’së janë shuar energjitë pozitive, duke humbur besimin dhe dëshirën për të udhëhequr me vendin.
Sipas tij u bë apo nuk u bë qeveria Kurti, qytetarëve nuk do t’i lë përshtypje të madhe pas këtyre proceseve që kanë ndodhur mes tyre.
Reagimi i plotë i tij:
Më normale do të dukej dështimi sesa arritja e marrëveshjes.
Me gjithë atë që kanë bërë edhe me ato që kanë lënë pa bërë, LV dhe LDK gradualisht kanë shuar energjinë pozitive, besimin dhe dëshirën që duhet ta ketë çdokush që fiton për të udhëhequr me këtë vend. Ja kanë bërë këtë efekt negativ njëra tjetrës me mosbesim, fajësime dhe tërpisë për të marrë më shumë se pala tjetër. Me këtë qasje të stërzgjatur të cilës i ka munguar pandalshëm përgjegjësia shtetndërtuese dhe respekti i ndërsjellë e kanë përcjellë këtë ndjenjë dështimi e mosbesimi edhe tek qytetarët e Kosovës. U bë apo nuk u bë kjo qeveri tashmë sikur nuk do tu lë përshtypje të madhe qytetarëve. Shumëkush nuk po ju beson e nuk po i besojnë as ata njëri tjetrit. Ky raport aq u stërkeq dhe aq shumë u stërzgjatë sa që më normale do të dukej dështimi sesa arritja e marrëveshjes.