Pas ministres në detyrë të Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, në Prokurorinë Speciale është paraqitur edhe ish-sekretari i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Irfan Lipovica, lidhur me rastin e rezervave shtetërore, ku është në cilësinë e të dyshuarit.
Në një prononcim për “Betimi për Drejtësi“, avokati i Lipovicës, Feim Alaj, tha se intervistimi i të mbrojturit të tij është shtyrë për ditën e enjte, me kërkesë të vetë Alajt.
Edhe zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, ka konfirmuar se Lipovica është ftuar në cilësinë e të dyshuarit për rastin e rezervave shtetërore.
“Lidhur me çështjen për të cilën keni adresuar pyetje, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ju njofton se z.Irfan Lipovica është ftuar në cilësinë e të pandehurit, në kuadër të hetimeve lidhur me rastin “Rezervat shtetërore”. Derisa rasti është në fazën e hetimeve, për veprimet e tjera, publiku do të njoftohet me kohë”, konfirmoi Luta.