Fjalë Kyçe

Pas javëve të suksesshme, bitcoin humb 14 për qind të vlerës

Pas javëve të suksesshme, bitcoin humb 14 për qind të vlerës

Bitcoini ka shënuar rënie të theksueshme të hënën, duke humbur terren nga ngritja rekorde prej 34.800 dollarësh e evidentuar vetëm një ditë më parë, duke i nxitur tregtarët që të thonë se paqëndrueshmëria mund të ketë ndikim edhe në të ardhmen e tregjeve financiare.

Bitcoini ka shënuar rënie prej më shumë se 14 për qind, pasi më parë e kishte arritur vlerën prej 33.670 dollarësh, duke e humbur më shumë se gjysmën e vlerës së ngritjes prej 20 për qind nga nata e Vitit të Ri. Që atëherë, bitcoin ka humbur 8 për qind të vlerës, për të rënë në 30.542 dollarë.

Derivatet funksionale të tregut të kriptovalutave janë zhvilluar që prej vitit 2017, duke shënuar shkëmbime tejoqeanike që ende ofrojnë një mundësi tejet të leverdishme tregtie. Lëvizjet në tregjet e tilla mund të kenë ndikim të jashtëzakonshëm në vlerën e bitcoinit.

“Thjesht, është zbërthim i një pjese të asaj leverdie”, ka thënë Richard Galvin, nga kriptofondi “Digital Asset Capital Management”.

Vlera rekord e lartë e bitcoinit është shënuar më pak se tri javë pasi që valuta e kaloi për të parën herë vlerën prej 20.000 dollarësh, më 16 dhjetor. Kriptovaluta më e madhe në botë e ka katërfishuar vlerën e saj gjatë vitit të kaluar.

Tregtarët kanë thënë se rënia e së hënës në vlerën e bitcoinit nuk ishte gjë e pazakontë për këtë aset të paqëndrueshëm, lëkundjet e herëpashershme të vlerës të së cilës pjesërisht e kanë parandaluar që të përdoret gjithëmbarshëm si një valutë.

“Është edhe më tutje një aset pashmangshëm i brishtë, nga vetë natyra e tij”, ka thënë Joseph Edwards nga “Enigma Securities”. “Për pjesën më të madhe, ky thjesht duket si një veprim kryekëput teknik, i sinjalizuar dhe i shkaktuar nga euforia afatshkurtër”, ka shtuar ai.

Monedhat më të vogla që zakonisht lëvizin në tandem me bitcoinin po ashtu kanë shënuar rënie, ndonëse jo aq theksueshëm. Ethereum, i dyti më i madhi, ka evidentuar rënie prej 1 për qind, pasi që kishte prekur kulmin trevjeçar prej 1170 dollarësh.

Fuqizimi i bitcoinit ishte përcjellë me perceptimin se valuta mund të shërbejë si mburojë kundër inflacionit, meqë qeveritë dhe bankat qendrore iu kthyen pakove të stimulimit për ta luftuar ndikimin ekonomik të pandemisë COVID-19.

“Një pjesë e kësaj është duke e reflektuar frikën nga një dollar më i dobët”, ka thënë analisti i valutave në Bankën e Singaporit, Moh Siong Sim.

Megjithëkëtë, vlera e arit është rritur për 2 për qind, duke vënë në pah korrelacionin e fragmentuar të bitcoinit me mburojat tradicionale të inflacionit. Avancimi i kësaj kriptovalute ka reflektuar pritjet se do të shndërrohej në një metodë të rëndomtë të kryerjes së pagesave. Potenciali i tij për përfitime të shpejta ka tërhequr gjithashtu kërkesën nga investitorët më të mëdhenj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. \ Reuters